Boksieri i njohur shqiptar Jurgen Uldedaj do të rikthehet në ring në arenën “York Hall” në Londër në datën 4 shkurt, në një mbrëmje magjike që do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.
Uldedaj do të debutojë në Britaninë e Madhe, që këto vitet e fundit është kthyer në qendrën e boksit profesionist, ashtu siç ishin SHBA-të vite më parë.
Boksieri 25-vjeçar nga Lezha, që ka edhe pasaportë gjermane, ka një karrierë të spikatur në boksin profesionist ku ka arritur të koleksionojë 14 fitore në po aq sfida të zhvilluara, 5 nga këto triumfe kanë ardhur me Knock Out (KO).
Jurgen Uldedaj aktualisht është kampion në tre disiplina: WBO Youth World Champion, WBC Youth World dhe BDB International Champion.
Rivali i Uldedaj do të jetë argjentinasi Pablo Cesar Villanueva, që në karrierën e tij në boksin profesionist koleksionon 11 fitore, 4 humbje dhe 1 barazim.
Një mbrëmje të madhe boksi do të ndiqni të shtunën e 4 shkurtit në Oversport dhe Tibo prej orës 20:00.