Tjetër sukses për boksierin lezhjan Jurgen Uldedaj. Ai pasditen e djeshme e ka fituar edhe ndeshjen e dytë, atë përballë kampionit të Polonisë Zurakovski dhe ka arritur të kualifikohet për në gjysmëfinalet e kampionatit Europian të 18 vjeçarëve që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë. Sigurisht që ky është një sukses i madh sepse Uldedaj që tani e ka siguruar një medalje, atë të bronztën megjithatë ai nuk do të ndalet këtu.

Ditën e premte do ketë takimin e rradhës teksa përballë në gjysmëfinale do të ketë boksierin nga Norvegjia Tregren. Edhe përballë tij kuptohet që do të kërkojë fitoren për të siguruar kështu finalen që do të thotë medalje e argjendtë e sigurtë por edhe e artë, çka do të ishte një sukses historik për boksin shqiptar. Megjithatë edhe e bronzta që Uldedaj ka siguruar tashmë është një sukses shumë i madh. Natyrisht jo i rastësishëm për këtë sportist sepse vitin e kaluar mori medaljen e bronztë në kampionatin europian të 16 vjeçarëve ndërsa sivjet e ka siguruar atë me 18 vjeçarët. Po ditën e djeshme ka konkurruar edhe boksieri tjetër i kombëtares shqiptare Rexhildo Zeneli përballë një boksieri bjellorus dhe ndonëse boksieri ynë ka dominuar në ring, duket se gjyqtaria ka vendosur që emrin e fituesit ta vendosë nga emri i shtetit dhe jo i sportistit. Gjithsesi paraqitja e kombëtares sonë në këtë eveniment të rëndësishëm mund të konsiderohet shumë pozitive.