Federata Shqiptare e Boksit zhvilloi këtë fundjavë në Shkodër tre aktivitete kombëtare njëherësh. Kështu, bëhet fjalë për kampionatet kombëtare të moshave U-16 dhe U-18, si edhe për Kupën e Shqipërisë për të rritur.
Pikërisht, në kategorinë U-16 ka spikatur talenti shkodran Jurgen Lazri, që përfaqëson Besëlidhjen, ashtu si edhe pjesa tjetër e boksierëve të Vllaznisë, që drejtohen nga dy vëllezërit Emiliano dhe Klaudio Çekini.
Realisht, Jurgen Lazri konsiderohet nga specialistët dhe trajnerët si një talent i madh i boksit shqiptar dhe ndër boksierët më të mirë të viteve të fundit në Shqipëri, i cili shumë shpejt mund të bëhet i njohur edhe në arenën ndërkombëtare, por për ta arritur një gjë të tillë duhet shumë punë akoma.
Edhe pse, Lazri është vetëm 14-vjeç, ai po konkurron dhe sfidon rivalët e tij me mjeshtërinë e duhur që i takon një boksieri, ku pas fitoreve të dy ndeshjeve të para, në finalet e ditës së sotshme, pret që të shpallet kampion kombëtar.
Kujtojmë se, Jurgen Lazri ka marrë pjesë edhe në kampionatin europian të moshave dhe ka bërë një paraqitje tejet pozitive, duke u paraqitur denjësisht në ndeshjet që u zhvilluan në Itali. Prandaj, padyshim që Jurgen Lazrin e pret një e ardhme e ndritur në boksin shqiptar, por jo vetëm edhe në arenën ndërkombëtare.
Maringlen ZHIVANI