Juventus ka mundur 3-1 Napoli-n e Ancelotti-t në “Allianz Stadium” dhe ka shkuar gjashtë pikë larg “axurrëve” në renditje. Ka qenë një fitore me përmbysje për bardhezinjtë, por jo e vështirë.
Miqtë kanë kaluar në avantazh pas vetëm 10 minutash lojë me Dries Mertens, duke përfituar nga një gabim i bërë nga Bonucci në mbrojtje. 16 minuta më vonë ka ardhur barazimi për torinezët, që kanë gjetur golin me Mario Mandzukic, i cili ka marrë një pasim perfekt nga Cristiano Ronaldo.
Edhe goli i dytë, ai i përmbysjes, ka ardhur nga një kombinim i dyshes CR7-“Super Mario”, por këtë herë ka qenë aksidental. Portugezi ka goditur shtyllën me një goditje nga jashtë zone dhe topi ka shkuar në këmbët e kroatit, i cili e ka dërguar në rrjetë me portën e boshatisur.
Nëntë minuta më vonë, Napoli ka mbetur me dhjetë lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Mario Rui. Juventus e ka patur më të lehtë të kontrollojë ndeshjen me një lojtar më shumë dhe në të 76-ën ka shënuar edhe golin e tretë me Bonucci-n, i cili ka shlyer gabimin e bërë në pjesën e parë.
Në të 83-ën ka qenë Ronaldo që ka shkuar shumë afër golit, por goditja e tij ka shkuar pak centimetra larg shtyllës së majtë. Kjo fitore 3-1 ka konfirmuar dominimin e bardhezinjve në Serinë A, që duket se edhe në këtë sezon do të ketë të njëjtin padron./telesport/