Gonzalo Higuain është “vrasësi” i Napoli-t, ish-skuadra e tij. Juventus ka fituar 1-0 në “San Paolo” dhe i ka shkaktuar humbjen e parë në kampionat ekipit të Maurizio Sarri-t falë golit të pestë të realizuar nga argjentinasi në pesë ndeshje të luajtura kundër “axurrëve”. Kjo ka qenë edhe ndeshja e 44-t radhazi ku Juventus ka shënuar gol, një rekord i ri në Serinë A. Trembëdhjetë minuta i kanë mjaftuar Juventus për të zhbllokuar ndeshjen dhe për të kaluar në avantazh.
Ka qenë një kombinim argjentinas që ka kapur në befasi mbrojtjen vendase, me Paulo Dybala që ka pasuar topin te Higuain, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe “Pipita” nuk ka gabuar. Pesë minuta më vonë ka ardhur reagimi i Napoli-t me Marek Hamsik, por goditja e këtij të fundit është neutralizuar nga Buffon. Miqtë kanë patur rastin të dyfishojnë avantazhin në minutën e 22-të, por goditja me kokë e Benatia-s ka përfunduar siper traversës. Minutat e fundit të pjesës së parë janë mbyllur me një sfidë mes Lorenzo Insigne-s dhe portierit të Juventus, Gianluigi Buffon, me këtë të fundit që ka dalë fitimtar në tre raste kundër sulmuesit të Napoli-t. Një sfidë kjo që ka vazhduar edhe në pjesën e dytë, me Buffon që ka arritur të ndalë një tentativë tjetër të Insigne në minutën e 55-të. 14 minuta më vonë ka qenë Pepe Reina, portieri i vendasve, që ka bërë një pritje të jashtëzakonshme ndaj Asamoah, i cili ka marrë një pasim të mrekullueshëm brenda zonës së rreptësisë nga Dybala. Pavarësisht tentativave të Napoli-t, rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fund. Kjo fitore ka dërguar “Zonjën” në vendin e dytë, një pikë larg Napoli-t kryesues.
© shkodrasport.com