Juventus nuk është përforcuar në merkaton e janarit. Gjithçka është shtyrë për verën e ardhshme, kur bardhezinjtë do të hudhen në sulm për Emre Can, Lorenzo Pellegrini, Matteo Darmian, sa për të përmendur disa.
Gjithsesi, Marotta dhe Paratici kanë bërë një lëvizje në shërbim të ekipit të moshave, që drejtohet nga Dal Canto dhe kanë marrë talentin 18-vjeçar holandez Leandro Fernandes.
I riu ka zhvilluar vizitat mjekësore te “J Medical” dhe ka nënshkruar një kontratë që do ta lidhë për pesë vitet e ardhshme me Juventus-in. “Zonja” e ka marrë nga PSV Eindhoven për 500 mijë euro. Lojtari ka qenë shumë i gëzuar dhe disa ditë më parë ka shkuar në Vinovo me Mino Raiola.
Domethënë, ky operacion ka përforcuar marrëdhëniet mes klubit bardhezi dhe menaxherit të njohur, i cili disa vite më parë ka dërguar tek Juventus njëfarë Paul Pogba. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur më pas…/telesport/