Juventus ka fituar thellësisht 7-0 ndaj Sassuolo dhe është ngjitur përkohësisht në krye të Serie A me dy pikë më shumë se Napoli, që do të luajë në mbrëmje në fushën e Benevento. Bardhezinjtë e Allegri kanë zgjidhur gjithçka brenda pjesës së parë.
Në minutën e nëntë, Alex Sandro shënoi golin e avantazhit, pas një rrëmuje në zonën mike, ndërsa në gjysmën e fraksionit të parë, Sami Khedira shënoi dy herë brenda tre minutave.
“Pokeri” u kompletua nga një tjetër mesfushori, Miraelim Pjanic, me një goditje të fortë nga jashtë zone. Në pjesën e dytë erdhi Gonzalo Higuain “show”. Argjentinasi shënoi edhe tre gola të tjerë duke i dhënë përmasa epike fitores së Juventus.
Ndërkohë, Milan nuk ka shkuar më tej se barazimi 1-1 kundër Udinese duke ndalur një seri pozitive me tre fitore radhazi. Kur u mbushën 10 minuta lojë një “perlë” e Suso kaloi në avantazh kuqezinjtë, pasi spanjolli e çoi topin në trekëndësh me një goditje të saktë nga rreth 30 metra.
Milan mbeti me dhjetë futbollistë në minutën e 68-të, pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Calabria. Udinese e shfrytëzoi superioritetin numerik dhe barazoi, 15 minuta para fundit kur topi i përplasur në trupin e kapitenit Bonucci, nxorri jashtë loje reagimin e Donnarumma.
Milan është në vendin e tetë me 35 pikë, 10 pikë më pak se Inter i vendit të katërt, që nuk fiton prej 8 ndeshjesh dhe të shtunën barazoi 1-1 në “San Siro” ndaj Crotone.
Në ndeshjet e tjera të luajtura në pasditen e Serie A, Cagliari fitoi 2-0 në një përballje për mbijetesë ndaj SPAL duke iu larguar zonës së ftohtë. Atalanta fitoi 1-0 ndaj Chievo me golin e Mancini.
Ndërkohë 1-2, mbaroi sfida mes Bologna dhe Fiorentina. Jordan Veretout kaloi në avantazh miqtë, ndërsa tre minuta më vonë Erick Pulgar barazoi për vendasit. Chiesa, 15 minuta para fundit, shënoi golin e fitores për “vjollcët”. Java e 23-të e Serie A mbyllet nesër me sfidën në “Olimpico”, Lazio-Genoa./telesport/