Juventus është vënë në gjurmët e 5 talenteve që po shkëlqejnë në Bundesliga, të cilët i janë shtuar emrave të rëndësishëm që bardhezinjtë kanë vënë në shënjestër për merkaton e verës.
Emri i parë është ai i lojtarit të Shalke, Thilo Kehrer. 21-vjeçari është një qendërmbrojtës, por mund të mbulojë çdo pozicion të prapavijës në një skemë me tre mbrojtës. Vlerësohet 15 milionë euro.
Më pas vjen Lukas Mai, një produkt i akademisë së Bayern Munich. Është vetëm 18 vjeç, por mund të jetë e ardhmja e Gjermanisë në mbrojtje. Juventus po e monitoron, edhe pse Bayern duket se nuk ka ndërmend ta shesë (ka një kontratë deri në 2021-in).
Emri tjetër është ai i Dayot Upamecano, mbrojtësi i Leipzig. 19-vjeçari, i cili është kërkuar edhe nga Milan-i në të kaluarën, mund të luajë në qendër të mbrojtjes, por edhe para saj. Vlerësimi i tij është 20 milionë euro.
Më pas vijnë dy të rinj, që e kanë treguar se mund të luajnë në nivele të larta. Flitet për Julian Weigl dhe Julian Brandt.
I pari është një nga yjet e rinj të Dortmund, vlerësohet 30 milionë euro dhe, pavarësisht 22 viteve, ka një eksperiencë të mirë ndërkombëtare.
I dyti, gjithashtu 22 vjeç, pëlqehet nga gjysma e Europës. Rreziku është të nisë një ankand i vërtetë, duke filluar nga 40 milionë euro. /telesport/