Elseid Hysaj mund të jetë përforcimi i radhës i skuadrës së Juventusit. Lajmi vjen nga përtej Adriatikut dhe këtë radhë nga një prej mediave që janë të lidhura më ngushtë me klubin napolitan.
Sipas “Il Mattino”, gazetë e qytetit të Napolit dhe që ka burime të sigurta brenda klubit, futbollisti shqiptar është kthyer në objektivin e merkatos së bardhezinjve të cilët janë ende në kërkim të një lojtari për krahun e djathtë të prapavijës së tyre.
Hysaj është elementi që ka spikatur më shumë në këtë rol në Serinë A në sezonet e fundit dhe bardhezinjtë janë gati të shpenzojnë shifra të rëndësishme për të siguruar mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare.
Megjithatë, gazeta insiston se Napoli nuk është aq i bindur t’i shesë një element kaq cilësor një kundërshtari direkt në luftën për titull, arsye pse klauzola prej 50 milionë eurosh që i ka vendosur në kontratë, vlen vetëm për klubet jashtë Italisë.
Për Hysajn, transferimi te Juventus do të dekretonte përfundimisht kthimin e tij në një prej yjeve të kampionatit italian, edhe pse për lojtarin do të ishte disi e vështirë.
Ai ka pranuar se që i vogël, është një tifoz i zjarrtë i Interit, por tashmë mund të përfundojë duke veshur fanellën e ekipit më të urryer nga zikaltërit. /vipsport/