Një nga “magjitë e merkatos” që Igli Tare ka realizuar në rolin e tij si drejtor sportiv i Lacios është ajo kur arriti të afronte holandezin Stefan De Vrij, të cilin e ndiqte gjysma e Europës. Që në atë moment, drejtuesi shqiptar filloi të merrte vlerësime të mëdha pasi dukej e çuditshme se si kishte arritur t’i mbushet mendjen këtij lojtari që t’i bashkohej Lacios e cila nuk kishte grupin dhe ambiciet që ka sot. Fatkeqësisht për Taren, “magjia” nuk do të kthehet në “mrekulli”.

Mediat italiane raportojnë se Stefan De Vrij nuk do të rinovojë kontratën e tij me klubin kryeqytetas dhe në fund të këtij sezoni, do të largohet me parametër zero. Pavarësisht ofertave të ndryshme që Tare i ka bërë futbollistit, ai ka refuzuar, duke qenë i ndërgjegjshëm se tani e kërkojnë klubet më të mëdha europiane.

Për futbollistin janë Interesuar edhe Barcelona me Interin, por në mediat italiane shihet si i kryer transferimi i tij te Juventusi, që kërkon një qendërmbrojtës cilësor pas largimit të Bonuçit. /vipsport.al/