Juventusi është shpallur kampion për vitin e nëntë radhazi në Serinë A, një rekord që vështirë se do të thyhet ndonjëherë në futbollin italian. Kurrë si këtë vit, skuadra bardhezi nuk ka qenë kaq në vështirësi, me trofeun e siguruar mes shumë peripecish e përmbysjesh, duke e mbyllur kampionatin vetëm 1 pikë para Interit të vendit të dytë.
Në fakt, Juventusit ia ka siguruar titullin kampion vetëm rregulli që zbatohet prej 26 vitesh në futbollin botëror, ku një fitore vlen 3 pikë, ndryshe nga sa bëhej deri atëherë ku një e tillë vlente vetëm 2. Nëse do të zbatohej rregullorja e vjetër, titulli nuk do të ishte i Juventusit, por i Interit, i cili do të kishte 58 pikë ndaj 57 të Juventusit.
Kjo është hera e parë në historinë e Serisë A që ndodh një gjë e tillë, edhe pse Juventusi në fakt e ka përjetuar një situatë të ngjashme në fund të sezonit 2000-2001. Atë vit, juventinët humbën titullin me një pikë diferencë ndaj Romës sipas rregullit të tre pikëve për fitore, ndërsa në rast se do të zbatohej rregulli i fitores me 2 pikë, atëherë të dy skuadrat do të kishin një numër të barabartë pikësh dhe titulli do të vendosej nga ndeshjet direkte. /vipsport/