Kohët e fundit është njoftuar lamtumira e Filipe Luis nga Atletico Madrid, e cila do të zyrtarizohet në fund të sezonit aktual. Rinovimi i kontratës, që i skadon në qershor brazilianit, nuk do të vijë në kryeqytetin spanjoll, çka bën që në fillim të javës së ardhshme ai do të jetë i lirë për të biseduar me ndonjë klub tjetër.

Pavarësisht nga 33 vitet që ka mbi supe, braziliani me pasaportë polake është ende në gjendje për të luajtur me çdo skuadër, në nivel të lartë, në të gjithë Europën. Në rolin e mbrojtësit të majtë, ai është ende shumë i mirë. Jo më kot, në verë, dy javë nga fundi i merkatos, Diego Simeone qëndroi fort për lojtarin në fjalë.

PSG këmbënguli për ta marrë në kryeqytetin francez mbrojtësin brazilian, para se të kthehej e të arrinte akordin me Juan Bernat. Por këtë herë është ndryshe dhe “Cholo” nuk do të jetë në gjendje të rezistojë. Sipas asaj që raportohet nga “Tuttosport”, Juventusi ka nisur të bëjë llogaritë për Filipe Luis.

Mundësia për ta blerë një lojtar të këtij kalibri me kosto zero është tepër tërheqëse në Torino, teksa disa muaj më parë mbërriti po në këtë mënyrë Emre Can. Bardhezinjtë pritën skadimin e marrëveshjes së mesfushorit gjerman me Liverpool dhe pastaj e morën pa asnjë qindarkë.

Ardhja e mundshme e Filipe Luis do të lejojë që Allegri të ketë një alternativë më shumë, dhe me prestigj, në krahun e majtë. Ky rol është mbajtur vetëm nga Alex Sandro, pasi Spinazzola nuk ka luajtur asnjë minute. Në fakt, edhe Cancelo mund të spostohet në të majtë./telesport/