Fitorja e tretë radhazi (e katërta duke përfshirë dhe Ligën e Kampioneve) dhe vendi i katërt. Derbi i Italisë numër 253 sjell një Juventus më të etur për fitore, më cinik dhe më të pjekur në kampionat.

Sigurisht, loja e Juventusit është ende e paqartë, konfuze dhe në fazën embrionale, por, përsa i përket qasjes në fushë, ka pasur një pikë kthese. Një ndryshim ritmi më shumë fizik sesa taktik, por gjithsesi efektiv përsa i përket renditjes dhe mekanizmave të një grupi ende në kërkim të një identiteti të saktë, por me disa siguri të tjera dhe një lider të ri në qendër të sulmit.

LUFTËTARË- Kundër Interit, formacioni i Tiago Motës doli në fushë me “helmeta”, duke luftuar pa i kushtuar shumë rëndësi formës së tyre në pjesën e parë dhe duke marrë në shtëpi një fitore të çmuar në prag të sfidës tjetër të rëndësishme në Ligën e Kampioneve. E gjitha kjo falë një paraqitje solide në fazën mbrojtëse të drejtuar nga një Gati në versionin luftëtar dhe nga një Veiga shumë i çmuar në të dyja fazat e gjithashtu përballë një super Di Gregorio. Juvja tregoi shumë fizik në mesfushë me një Turam të papërmbajtshëm dhe një Kolo Muani në sulm të aftë për të alternuar pasime dhe mbajte fantastike topi për të krijuar hapësira dhe për të bërë diferencën me cilësinë e tij. Një cilësi që, një çerek ore nga fundi, theu murin zikaltër dhe prishi ekuilibrin e ndeshjes.

KURAJË- Ndaj Interit, Konseisao ishte lojtari vendimtar që shënoi golin, por gjithçka nisi me një numër të ish-lojtarit të PSG-së në zonë. Gjëra prej një lojtari të madh, me ide të qarta se çfarë duhet bërë me topin në këmbët e tij dhe që di si ta marrë skuadrën për dore kur situata bëhet e vështirë. Pjesa tjetër pasoi në vazhdën e entuziazmit dhe dëshirës për të arritur një rezultat të madh. Pas golit, në fakt, Juventusi fitoi besimin në posedim, shtrëngoi linjat me zëvendësime dhe luftoi në të gjithë topat, duke zmbrapsur sulmin e zikaltërve drejt fundit dhe madje iu afrua dyfishimit të epërsisë në disa raste.

ZONA CHAMPIONS- Një qëndrim që e çoi Juventusin në 46 pikë, sa Lacio në betejën e ngushtë për një vend në Champions pas Napolit, Interit dhe Atalantës. Tani te Juvja duket se po i japin rëndësi vetëm rezultateve, loja mund të përmirësohet në një moment të dytë. Dhe kjo Juve me shumë muskuj, shpirt luftarak dhe ritëm udhëhiqet si në Itali ashtu edhe në Europë, nga kreu i sulmit, Randal Kolo Muani.