Ditë decizive për Pol Pogbanë, lidhur me vendimin që duhet marrë, pas dëmtimit në gjurin e djathtë. Edhe pse fillimisht u duk një problem banal, 72 orë pas ndalesës konfirmohet se dëmtimi është më serioz se çfarë pritej, pasi tërheqja e meniskut të jashtëm nuk lejon funksionimin normal të gjurit dhe diçka e tillë ngre jo vetëm alarmin total te Juventusi, por në të njëjtën kohë te Franca dhe te vetë lojtari.
Kjo, pasi në varësi të zgjedhjes që do të bëjë Pogba me stafin mjekësor të Juves mund të vihet në rrezik edhe pjesëmarrja në Kupën e Botës në Katar dhe rikthimi në fushë në janar 2023, diçka e cila do të prishte totalisht planet e bardhezinjve.
VENDIMI
Pogba dhe klubi do ta marrin në unanimitet hapin e radhës që duhet të ndjekin, ku sigurisht që plani është rikthimi sa më i shpejtë në fushë i mesfushorit. Duke parë problemin delikat, Juventusi kërkon që problemin me dëmtimin ta zgjidhë njëherë e mirë, duke marrë ndoshta parasysh edhe një qëndrim jashtë fushave më të madh sesa 2 muajt që ishte menduar fillimisht.
Prandaj, terapitë me infiltrime duken zgjedhja e fundit në hierarkinë e atyre që po mendohen e vlerësohen në orët e fundit. Pas një konsulte të parë në SHBA, Pogba është rikthyer në Torino pas dëmtimit dhe dje ka bërë një tjetër vizitë më të imtësishme, për të kuptuar dhe qartësuar më shumë vendimet se cili do të jetë hapi që duhet ndjekur pas këtij dëmtimi.
LLOJET E NDËRHYRJEVE
Rrugët e rikthimit të tij në fushë kalojnë nga dy zgjidhje kirurgjikale: meniskeptomia dhe qepja e meniskut. E para parashikon heqjen e pjesës së këputur dhe kohët e rikthimit në fushë variojnë nga 40- 60 ditë. E dyta konsiston në qepjen e zonës së tejzgjatjes dhe rikuperimi i plotë i dëmtimit zgjat të paktën 3 muaj, por mund të shkojë deri në 5 të tillë, në varësi se si do të përgjigjet riaftësimi i trupit të lojtarit.
Sigurisht që ndërhyrja e dytë është ajo që garanton më të mirën, por kjo do të thoshte se futbollisti mund të vinte në rrezik pjesëmarrjen e tij në Botërorin e Katarit dhe me Juventusin mund të ribashkohej në nëntor-dhjetor të këtij viti apo, pse jo, në janar të 2023-shit. Për momentin, në shtëpinë bardhezi bëjnë tifozllëk për ndërhyrjen e parë, në mënyrë që Pogba të kthehet sa më shpejt në fushë, ndonëse në fund do të jetë verdikti mjekësor ai që vendosë, për të mirën e lojtarit dhe të klubit njëkohësisht.