Juxhin Xhaja dhe Dojando Myftarajn kanë zbritur për herë të dytë në fushën e lojës në Kampionatin Europian të moshës deri në 19 vjeç, që është duke u zhvilluar në Maltë.
I pari ishte kryesor dhe i dyti asistent pikërisht në ndeshjen e grupit B, Islandë – Norvegji 1-1, teksa i katërt ishte kosovari Genc Nuza. Një ndeshje, e cila pati norvegjezët në avantazh me golin e Roaldsoit në të 65’ me njëmbëdhjetëmetërsh, penalltia e pestë në 8 ndeshje, dhe më pas ka barazuar Gudmundson.
Ndërkohë Portugalia në grupin A dhe Spanja në grupin B janë gjysmëfinalistët e parë. Të dyja skuadrat me 6 pikë në dy ndeshje me të njëjtin golaverazh, 7-1. Portugalia mundi me përmbysje 5-1 Italinë, kurse Spanja fitoi 5-0 me Greqinë. Viktor Barbera, me dy golat e tij ndaj helenëve, është shënuesi më i mirë i kampionatit, tre gola. Pas tij me nga dy Odegard dhe Roaldsoi të Norvegjisë, Tzimas i Greqisë, Gabriel Braz dhe Hugo Feliks të Portugalisë.
Në total 33 gola në 8 ndeshje, ndërsa ndeshjet e fundit në grup, të dielën e të hënën, që do të luhen në të njëjtin orar, përcaktojnë gjysmëfinalistët e dytë. Në diskutim në grupin A, Italia e Polonia, kurse në grupin B, Norvegjia dhe Islanda. Europiani përfundon më 16 korrik.