Ballshiotët janë një nga skuadrat që kanë gjetur si zgjidhje më shumë tregun e huaj për të afruar elementë cilësorë gjatë merkatos, me synimin për t’i shitur më pas. Por, si rrallë në vitet e fundit, ajo që vihet re është se këtë sezon nuk ka një “bomber” të mirëfilltë te ballshiotët.

Në fakt, disa lojtarë të huaj janë dëmtuar dhe nuk kanë rezultuar brenda pritshmërisë gjatë këtij kampionati, të paktën deri më tani. Emra si Beji Anton dhe Felipe Soza u dëmtuan rëndë dhe kanë mbyllur sezonin, por bashkë me sulmuesin kryesor Luis Kaçorri, nuk kanë shkuar më shumë se tre gola secili.

Tashmë, vetëm Kaçorri është aktiv në garë dhe pritshmëritë për të janë të mëdha, sepse bëhet fjalë për një element që ka potencial. Edhe para dy sezoneve, Bylisi e kishte bomberin në pjesëmarrjen në elitë, pasi shënonte rregullisht nigeriani Antoni (12 gola), e po ashtu edhe shkodrani Qardaku (5 gola).

Por, ndryshe po ndodh tani, edhe pse ballshiotët shkuan deri në Japoni, Ganë, Francë e Brazil për të gjetur njeriun gol. Presidenca e zgjidhi “qesen” për të gjetur një sulmues me peshë në pjesën e dytë të garës.

U afrua japonezi Tomojoki Doi, i cili realizoi gol në sfidën e parë ndaj Kastriotit, por në vijim pak është preferuar si titullar nga trajneri Naxhi Shensoi.

Nga Gana erdhën gjithashtu Abu Danladi dhe Brajs Tutu, me këtë të fundit që ende nuk e ka bërë debutimin. Pa harruar edhe Zho Santos, një element me eksperiencë nga Brazili, por që më shumë është një sulmues anësor.

Një Bylis i pasur në sulm me lojtarë, por që ballshiotët shpresojnë të kenë larguar tersin e golave dhe të nisin një fazë ndryshe. Kjo duhet të ndodhë që nga përballja e radhës me krutanët në Kamzë, që do të luhet të dielën në orën 15:00.