Opinion nga Kujtim Shaba
Po ndjek me interes zhvillimet e fundit tek Vllaznia. Si një njeri që kam pjesë e strukturave drejtuese të saj, natyrisht që kam edhe unë përgjegjësinë time për çka ndodhur megjithatë jo çdo gjë ka qenë në dorën time. Lexoj në gazeta ditët e fundit se Vllaznia ka filluar bisedimet me tre futbollistë aktualë të Tiranës. Ahmataj është një futbollist i lirë mbas një muaji dhe mund të vijë në Shkodër ndërsa për Dushkun dhe Likën janë nën kontratë edhe një sezon tjetër me Tiranën dhe nuk na merr mendja se do largohen.
Vetëm nëse këta dy futbollistë kanë probleme financiare, atëherë ata duhet ta çojnë çështjen në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve por përsëritet e njëjta histori si janarin e vitit të kaluar kur erdhën në Shkodër por nuk firmosën. Unë mendoj se më shumë është një dëshirë e drejtuesve të Vllaznisë për t’i marrë këto futbollistë sepse po të ishte se ato kishin dëshirë për të ardhur në Shkodër, do të kërkonin zgjidhjen e kontratave në FSHF më parë. Sugjerimi im është se Vllaznia nuk duhet të mendojë për një strategji të tillë për marrjen e lojtarëve nga jashtë Shkodre dhe të kushtueshëm. E para sepse nuk kemi anën financiare. Edhe nëse bëhet sivjet, sezonin tjetër pastaj sërish skuadra boshatiset dhe mbetet pa lojtarë. Kështu mund t’i ndodhë edhe Skënderbeut në rast se donatorët aktualë i largohen në fund të këtij sezoni. Nga kampione, të jeni të bindur se në fund të sezonit tjetër do jetë duke rrezikuar rënien nga kategoria. Meqë aktualisht Vllaznia nuk i ka fuqitë financiare për të shpenzuar aq sa Skënderbeu apo dhe Flamurtari, mbase është më mirë të ndërtojë një strategji tjetër. Duke mbajtur disa prej lojtarëve aktualë, duke kthyer edhe disa shkodranë që luajnë në skuadrat e tjera dhe që tashmë e kanë një përvojë në Superligë.
Por klubi aktualisht nuk ka asnjë strategji për të rinjtë, madje nuk ka patur as në periudhën që unë kam qenë drejtues. Por duhet guxuar. Ashtu siç u guxua kur u aktivizua Bala para tre sezonesh dhe shumëkush ishte skeptik për moshën e tij të re por prej dy vjetësh ai firmos kontrata profesionistësh jashtë vendit. E njëjta situatë edhe kur u fut Vajushi, madje kishte mendime se ka hyrë me hatër por ky futbollist i shitur nga Vllaznia për vetëm 100 mijë euro, sot vlen 3 milionë euro. Afirmimi i tyre erdhi ngaqë luajtën rregullisht dhe sot me plot gojën mund të them se jo vetëm Shkodra por as Shqipëria nuk i ka dy futbollistë si Bala e Vajushi.
Unë jam për një revolucion tek Vllaznia. Duke qenë se humbjet tek të gjithë ekipet shqiptare janë të mëdha ndërkohë që të ardhurat janë të vogla. Duke u ndalur tek Vllaznia, ajo si të ardhura ka një të drejtë televizive që shkon rreth 60 mijë euro, të ardhurat e biletave dhe përpos tyre, Shkodra është e vetmja që ka edhe reklamat e stadiumit megjithatë të ardhurat janë të pamjaftueshme. Duke qenë kështu më mirë të mendojmë për të ndërtuar një ekip për të ardhmen. Të caktojmë një trajner dhe një strategji për tre vitet e ardhshme dhe pas tre vitesh ai të japë llogari për punën e bërë. Duke menduar kështu, jo vetëm ndërtohet edhe skuadra e së ardhmes por edhe ajo kushton më pak. Vetëm nga ushqimi që shpenzohet aktualisht për futbollistët e huaj, ikën një shumë prej 27 milionë lekësh dhe me këtë shumë sigurisht që mund ta investosh tek të rinjtë shkodranë.E rëndësishme është që gjithçka të bëhet me një plan të qartë e për të duhet menduar shpejt, për të mos i lënë gjërat në fund.