Dinamo dhe Vllaznia janë dy nga skuadrat që kanë dhuruar futbollin më të bukur ndër vite në Shqipëri dhe emocione në shkallët e stadiumit.Edhe aktualisht ato janë pretendente për titull, janë pozicionuar në 4-shen e parë të Superiores dhe të shtunën do të sfidohen mes tyre në stadiumin “Elbasan Arena”. Dy herë këtë sezon ka fituar Dinamo, 2-1 dhe 2-3, por momentalisht shkodranët kanë një gjendje më të mirë dhe janë 3 pikë përpara në renditje. Pritet një sfidë e bukur në fushë, si dy të mëparshmet, me kryeqytetasit që synojnë rikthimin te fitorja, nëse te Vllaznia do të jenë “dakord”. Shkodranët do të vijnë për revansh ketë herë, ndërsa për blutë janë shumë katër ndeshje radhazi pa fitore.

CANAJ – Agim Canaj, ish-trajner i të dyja skuadrave, por më i lidhur me Dinamon, ku ka fituar gjithçka si lojtar, pret një 90-minutësh të bukur, ndërkohë që kërkon më shumë mbështetje nga ana e tifozëve kryeqytetas dhe atyre shkodranë. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai shprehet se Vllaznia është favorite për këtë sfidë, duke iu referuar më shumë aspektit psikologjik, por thekson se Dinamo është ekip i pjekur dhe i fortë, që nuk mundet lehtë.

“Në këtë moment mendoj se Vllaznia vjen më mirë në këtë ndeshje dhe është më favorite. Ka marrë rezultate më të mira javët e fundit, ka luajtur mirë dhe kështu që moralisht është më lart. Dinamo në anën tjetër ka vuajtur mungesën e 3-4 lojtarëve me peshë në skuadër. Bëri një fazë të dytë mjaft të mirë dhe u ngjit në krye të tabelës, por pas dëmtimit të disa titullarëve sikur u kthye në atë nivelin e fillimit të sezonit. Patjetër nëse do të ketë kontingjentin e plotë kundër Vllaznisë, kam besim se do ta përballojë mirë këtë kundërshtar dhe pse jo do të marrë maksimumin.

Jam i lidhur me të dyja skuadrat, me Dinamon më shumë, por kam qenë edhe tri herë në Shkodër për të drejtuar Vllazninë dhe do të doja që të shikonim një ndeshje sa më të bukur. Apeli im është që të ketë edhe më shumë tifozë në stadium, sepse me atë që kemi parë kohët e fundit, kur stadiumet kanë qenë të boshatisura, nuk është një pamje e bukur. Mendoj se Vllaznia dhe Dinamo do t’i përgjigjen atij niveli futbolli, që këta emra të mëdhenj kanë prodhuar gjithmonë në futbollin shqiptar”, ka thënë fillimisht Canaj.