Futbolli modern nënkupton edhe kontrata milionere, por si mund të gjendet një rrugë e mesme për të mos ndëshkuar tifozët, që gjithnjë e më shumë po shihen si lopë për t’u mjelur, me ndeshje çdo ditë, abonime në shumë platforma, fanella që ndryshohen çdo sezon, apo bileta shumë të shtrenjta? Në Gjermani i vënë gishtin kokës dhe Bundesliga bën prapaktheu, duke vendosur: të hënën nuk mund të luhet futboll!
Prej këtij sezoni futbolli gjerman ka imituar atë anglez, duke futur edhe risinë e “Monday night”, por ndeshja e së hënës ka tërbuar tifozët e shumë skuadrave, që janë organizuar dhe kanë protestuar në çdo ndeshje, duke bojkotuar në shumë raste.
Kjo ka bërë që Bundesliga ta kuptojë se e teproi me ndryshimet për të arkëtuar miliona dhe prej sezonin 2020/21 nuk do të ketë më ndeshje Bundeslige të hënën.
Në vitin 2016 u vendos që të luhej edhe të hënave, por vetëm 5 ndeshje, si eksperiment, por duket qartë që ka qenë një dështim.
Natyrisht, do të varin turinjtë televizionet dhe do të prishen kontrata milionere, por pak rëndësi ka, ndonjëherë duhen dëgjuar edhe tifozët.