Ka merkato futbollistësh por ka merkato edhe trajnerësh. Dhe ajo çka është më interesantja, kjo gjë nuk vlen më vetëm për trajnerët e ekipeve të të rriturve sepse tashmë në lojë kanë hyrë edhe trajnerët e moshave.
Shumë prej Akademive në vend po bëjnë investime serioze në infrastrukturë, por edhe në burime njerëzore. Dhe njëra prej tyre është ajo e Shënkollit. Presidenti i saj Kristian Gjidodaj pas një sezoni të shkëlqyer me ekipet U17 dhe U19, kërkon t’i çojë edhe më tej ato dhe për këtë arsye, në sezonin e ri mendohet të ketë objektiva edhe më serioze.
Për këtë arsye, ka hedhur sytë edhe në gjetjen e trajnerëve cilësorë dhe për ekipin U19 i ka hedhur sytë nga Shkodra. Dy ditë më parë mësohet se është firmosur kontrata me trajnerin Haris Lika, një trajner ky që ka punuar së fundmi tek Akademia AAS ndërkohë që sapo është diplomuar edhe me liçensën “Uefa PRO”.
Lajmin për arritjen e kësaj marrëveshje e ka dhënë për “Shkodra Sport” vetë Lika i cili është shprehur: “Mund të konfirmoj faktin që tashmë jam pjesë e Akademisë së Shënkollit. Ka qenë një ofertë shumë e mirë e presidentit Gjidodaj që më bindi për ta pranuar atë.
Dhe këtu e kam fjalën jo vetëm për ofertën financiare e cila është shumë e kënaqshme, por edhe për gjëra të tjera. Klubi më ka ofruar kushte shumë të mira për stërvitje me ekipin dhe përpos kësaj, do të kem në dispozicion një kontigjent lojtarësh shumë të talentuar.
Të mos harrojmë se sezonin e kaluar Shënkolli U19 zuri vendin e tretë në kampionat dhe shkoi deri në finalen e Kupës së Shqipërisë. Thuajse i gjithë ai kontigjent me futbollistë të datëlindjes 2002 do të jetë sërish në dispozicionin tim dhe përpos tyre, do të kem edhe 9 futbollistë nga ekipi U17 i cili siç dihet u shpall kampion sivjet.
Ishin të gjitha këto arsye që më bënë ta pranojë këtë ofertë dhe në fakt e kam marrë me shumë dëshirë përsipër drejtimin e këtij ekipi dhe sëbashku me presidentin dhe pjestarët e tjerë të kësaj Akademie, besoj se kemi për të arritur rezultate shumë të mira. Investimi që është bërë e meriton të shpërblehet edhe me rezultate”.
www.shkodrasport.com