Auron Miloti ka fituar tre tituj kampion radhazi si pjesë e Tiranës në sezonet 1994-1995, 1995- 1996 dhe 1996-1997. Mirëpo, ish-sulmuesi shkodran e ka peng të karrierës që me skuadrën e zemrës, Vllazninë, nuk ka mundur dot të shpallet kampion. Gjithsesi, këtë ëndërr që ka ai shpreson ta realizojë si drejtor sportiv i kuqebluve në fund të këtij sezoni.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, 48-vjeçari flet në prag të klasikes Vllaznia-Tirana, që këtë të dielën do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 13:00. Miloti pret një ndeshje me spektakël, ndërsa beson se Vllaznia do të marrë maksimumin.
Auron, pas 11 javësh kampionat Vllaznia pozicionohet e treta dhe tri pikë larg Tiranës kryesuese. Si ju është dukur ecuria e skuadrës deri më tani?
Ne kemi humbur shumë pikë me skuadrat që në renditjen aktuale janë poshtë nesh. Me këtë dua të them se nuk jemi në garë vetëm me Tiranën dhe Partizanin, por me të gjithë ekipet e Superligës. Duhet të sillemi njësoj në fushë ndaj çdo kundërshtari. Sigurisht, Tirana dhe Partizani që janë para nesh, janë dy ekipe që janë ndërtuar për të fituar, por Vllaznia do të bëjë gjithçka për të arritur atë që kërkon.
Nëse bëjmë një krahasim me sezonin e kaluar, çfarë ka më shumë ose më pak kjo skuadër?
Skuadra ka punuar fort në të dyja vitet e shkuara. Vllaznia e sezoneve të fundit ka marrë maksimumin dhe në fund është shpërblyer me dy trofe. Nuk mund të bëjmë krahasime, por ajo që mund të them është se në këtë sezon ne do japim maksimumin tonë për të dalë me sukses në fund, duke vijuar atë që kemi bërë në të kaluarën.
Të dielën është klasikja me Tiranën, e cila do të luhet në “Selman Stërmasi”. Si e shikoni këtë përballje, për më tepër jeni nga ata ishfutbollistë që keni provuar të luani me të dyja fanellat?
Është përballje e dy skuadrave më të vjetra dhe me më shumë traditë në futbollin shqiptar. Gjithmonë këto dy skuadra kanë dhënë spektakël, si brenda fushës, ashtu edhe jashtë saj. Dihet forca e Tiranës, sepse këtë e tregon edhe renditja, por për ne është një ndeshje si gjithë të tjerat. Pra, si një ndeshje e radhës. Vllaznia shkon në Tiranë për të paraqitur sa më mirë vlerat e saj.
Sa shanse keni për të përsëritur fitoren e fazës së parë?
E thashë edhe një herë, ne shkojmë në Tiranë për të paraqitur vlerat tona si ekip dhe si në çdo ndeshje të kampionatit, ne futemi në lojë për të dhënë gjithçka që kemi dhe për të marrë rezultatin pozitiv.
Si është atmosfera në skuadër para kësaj ndeshjeje?
Atmosfera në ekip ka qenë gjithmonë e mirë. Ne kemi një grup me personalitet, që mundohen të japin gjithçka, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Ne po punojmë çdo ditë dhe çdo javë për të dhënë maksimumin në ndeshjen që na pret.
Tri pikë në këtë takim mund t’ju afrojnë me kreun, çfarë ndeshjeje prisni këtë herë?
Është e vërtetë që një fitore na afron më shumë drejt kreut, por ne punojmë çdo ditë që të jemi në fund të kampionatit aty ku Vllaznia synon.
Një pikë do t’ju kënaqte në kryeqytet?
Në çdo ndeshje ne futemi për ta fituar. Synimi ynë është që në fund tifozët e Vllaznisë të jenë të gëzuar.
Besoni se ky është sezoni i duhur, që pas 22 vitesh më në fund Vllaznia të rikthejë titullin në Shkodër?
Kampionati është i gjatë dhe ka uljet dhe ngjitjet e veta. Nuk është çështje nëse besoj unë si Auron apo jo. Nëse ne të gjithë së bashku japim maksimumin tonë çdo javë, atëherë besimi që ne kemi do të kthehet në realitet.
Tre tituj si sulmues i Tiranës në vitet ’90, por asnjëherë kampion me Vllazninë. E prisni tani si drejtues?
E vërteta është që kam fituar tituj me Tiranën si lojtar, por nëse si drejtues i Vllaznisë kjo gjë bëhet realitet, atëherë edhe ëndrra ime është realizuar.