Gjirokastra është një shkollë futbolli në Shqipëri dhe nga futbolli i “qytetit të gurtë” kanë dalë shumë emra të spikatur, që kanë bërë emër me ekipet më të njohura në vend krahas Luftëtarit “mëmë”, por edhe me Kombëtaren apo dhe jashtë. Vasili Tuni është djaloshi 21-vjeçar që ka dalë nga ekipet zinxhir të Luftëtarit, ka luajtur me Shkëndinë e Tiranës dhe më pas u pikas nga skautë për t’u transferuar te Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci. ,
Në moshën 18-vjecare ai firmos kontratë me Skënderbeun e Superiores, luan aty por edhe në Maliq ku ka në shumë hapësira, ndërsa prej dy vitesh është pjesë e skuadrës “mëmë”- Luftëtari, ku si titullar është nga lojtarët më stabël dhe tashmë me më shumë eksperiencë.
Vasili Tuni synon që të rikthehet në Superiore sërish, por që mund të provohet sërish jashtë vendit, te skuadra të kampionatit grek apo dhe në kampionate të thera europiane. Luftëtari ka edhe djem të tjerë që menaxhohen nga menaxheri shqiptar Bruno Dodi, siç janë dy titullarët, mesfushori Astrit Rama por edhe sulmuesi anësor Ardit Zijaji.
Dodi ka qenë në Gjirokastër dhe i ka ndjekur në disa sfida sepse synon që t’i transferojë jashtë vendit. “Po mbyll sezonin e dytë si titullar në Gjirokastër, jam rritur shumë dhe Luftëtari, është ekip me emër pavarësisht ligës ku luajmë. Unë kam qenë edhe pjesë e Skënderbeut në Superiore por edhe Maliqit në Kategorinë e Parë ashtu sikurse pa mbushur të 18-tat kam qenë pjesë e Lokomotivës së Zagrebit.
Por tashmë jam gati për një hap të madh dhe të rëndësishëm në karrierë. Unë kam veshur edhe fanellën e ekipeve kuqezi U-17 dhe U-19 dhe ëndërroja edhe Shpresat U-21. Dua që të ngjis Luftëtarin në kategorinë e parë sepse jemi një grup shumë i mirë djemsh që nga portieri Boje, brazilianët, Mërkuri, vëllezërit Puci, apo Zijaji dhe Rama, Mirani, shkojmë shumë të gjithë.
Trajneri Dalipi ka bërë punë shumë të mirë dhe kemi tifozeri të mrekullueshme. Dua që të ngjis shkallët në karrierën time, më pëlqen të luaj në Europë”,- tha Vasili Tuni anësori shttlartë i Luftëtarit që luan si sulmues por edhe mbrojtës krahu./www.shkodrasport.com/