Situata e Ansu Fati mbetet e pandryshueshme te Barcelona. Sulmuesi e ka nisur si titullar vetëm 1 ndeshje këtë sezon dhe Flick ia ka bërë të qartë prej kohësh që nuk e ka në planet e tij.

Edhe pse Barcelona po fitonte bindshëm mbrëmë ndaj Valencia-s, trajneri gjerman nuk e aktivizoi për asnjë minutë si zëvendësues, duke thënë pas ndeshjes se lojtarët e tjerë që u futën në fushë e meritonin më shumë për të luajtur.

“Nuk kam ndonjë informacion të ri për të. Nëse Ansu Fati dëshiron të qëndrojë, është në rregull, por të tjerët e merituan të luajnë”, tha Flick.

Sezonin e kaluar Ansu Fati u huazua te Brighton në Premier League, por rezultoi një dështim i vërtetë. Sulmuesi duhet të gjejë një ekip të ri këto ditë të fundit të mbetura të merkatos së janarit, por duket e vështirë pasi asnjë klub nuk pranon të paguajë rrogën që ai merr te katalanasit.

Gjithsesi, te Barcelona shpresojnë ende se mund të arrijnë marrëveshjen me ndonjë klub për huazimin e lojtarit deri në qershor./telesport/