Ardian Ismajli duket se më në fund ka lënë pas kalvarin e gjatë të dëmtimeve, që e kanë detyruar që të luajë vetëm 2 ndeshje në 2 muajt e fundit. Shqetësimet e lojtarit dhe mungesa e tij në fushë, kanë përkuar me një moment shumë negativ për Empolin që pak nga pak ka rrëshqitur pranë zonës së ftohtë të klasifikimit.
Ndaj për trajnerin Roberto D’Aversa, lajmi se më në fund do të ketë në dispozicion lojtarin për një ndeshje shumë delikate ndaj Fiorentinës, ka qenë padyshim i mirë. Kësisoj, ai do të ketë një armë më shumë në prapavijën e skuadrës së tij që ka ruajtur të paprekur portën vetëm në një ndeshje në këtë periudhë kohe kur Ismajli ka qenë pushim.
Nuk është rastësi që i pyetur për ata që duhet të nxjerrin ekipin nga situata në një moment kaq të vështirë, ai ka përfshirë në listë edhe mbrojtësin shqiptar.
“Mund të ketë lider të ndryshëm, por me karakteristika të ndryshme. Është Grasi, i cili di të flasë si kapiten në momentin e duhur, mund të jetë një lider i heshtur si Ismajli dhe një teknik si Viti, të cilët flasin pak, por në momentin e duhur”, tha trajneri në konferencën e sotme për mediat.