I dëmtuar prej afro 2 muajsh, Erald Maksuti ka lënë pas vuajtjet dhe duket gati për t’u rikthyer në fushë. Sulmuesi dhe golashënuesi më i mirë i fierakëve ka nisur dje stërvitjen me ngarkesë të plotë me grupin dhe nëse gjithçka shkon sipas planeve, do të rikthehet të luajë pas afro dy muajsh.
Sulmuesi shkodran mungon që nga dhjetori, pas dëmtimit të pësuar ndaj Besës. Maksuti shihet si një rikthim i rëndësishëm për Apoloninë në prag të transfertës së ditës së hënë në Pogradec.
Shkodrani pritet të jetë pjesë e skuadrës në duelin e javës së 23-të në kampionat përballë pogradecarëve. Maksuti ka qenë një nga lojtarët me ndikimin më të madh në radhët e fierakëve, pasi ka shënuar 9 gola në 14 javë të luajtura.
Si një gjahtar goli, por edhe me shpirtin e tij të garës apo edhe polivalencën e treguar, sulmuesi ka qenë shumë i rëndësishëm për ekipin e Pajazitit.