Nëse ka diçka që Ksavi ka përsëritur këtë sezon gjatë daljeve para mediave është se ai ndihet “i lumtur” me skuadrën që ka. Klubi bëri përpjekje të mëdha për të përforcuar një ekip që dukej i shkatërruar që kur Mesi u largua.

Pavarësisht mungesave të herëpashershme që ka pasur gjatë sezonit, Barça ia ka arritur të dominojë kompeticionet në Spanjë. Përveç “kasaphanës” në Champions, ku skuadra nuk mundi të përshtatej me mungesat në mbrojtje, në Spanjë situata ka qenë ndryshe. Në një masë të madhe kjo i detyrohet faktit se Ksavi ka në dispozicion të tij një sërë lojtarësh që mund të aktivizohen në pozicione të ndryshme, me të cilët trajneri mund të mbulojë pozicione në rast nevoje. Erik Garsia është treguesi më i fundit i një Barcelone shumëdimensionale. Në takimin e fundit në La Liga kundër Elçes ai u aktivizua në qendër të mesfushës, duke e bërë mjaft mirë.

MBROJTJA – Krahu i djathtë dukej i destinuar për Hektor Bejerin, por Ksavi nuk ka dashur të jetë “kokëfortë”. Ai ka provuar në këtë pozicion me sukses të plotë dhe Arauhon, Kunde, Serxhi Roberton dhe Balde. Shndërrimi tjetër i madh i Ksavit në këtë linjë është ai i Markos Alonsos në qendër. Ai duhej të ishte një mbrojtës i majtë, por dalja e Balde në atë pozicion e detyroi trajnerin të gjente një sistemim për lojtarin nga Madridi.

MESFUSHA – Shpikja më e fundit në këtë repart është avancimi i Erik Garsias në qendër të mesfushës. Pastaj, Ksavi u ka dhënë lëvizshmëri të madhe pozicioneve të ndryshme në “kullën e komandimit”. Serxhi Roberto ka luajtur në tri pozicionet e mesfushës, njësoj si De Jong dhe Kesi.

SULMI – Kalimi nga sistemi 4-3-3 në 4-4-2 bëri që Pedri dhe Gavi të shfaqen në krahë të majtë të sulmit. Ansu Fati dhe Ferran Torres mund të veprojnë në tri pozicionet e sulmit, ndërsa Dembele dhe Rafinja shkëmbejnë vendet në të dy krahët.

REALI FAVORIT – “Këto janë çështje ndjesish. Kam ndjesinë se kur është radha jonë të luajmë një ndeshje të dyfishtë kundër Realit të Madridit është shumë e vështirë. Mendoni pak, kur ka qenë hera e fundit që Reali i Madridit është eliminuar në një përballje të dyfishtë? Kthejuni pak Ligës së Kampioneve vjet? Kjo është arsyeja pse unë ende mendoj se ata janë favoritë, pavarësisht se janë mundur 0-1 në ndeshjen e parë. Por po kaq e vërtetë është se presioni është mbi ta”.