Ditën e nesërme Kombëtarja U-21 e Shqipërisë do të luajë ndeshjen eliminatore ndaj Greqisë ndërsa pas katër ditësh ndaj Hungarisë, takime këto që do të luhen në stadiumin “Elbasan Arena”. Në prag të këtyre takimeve, ekipi është grumbulluar që nga dita e dielë dhe ajo që bie në sy në listën e lojtarëve të thirrur nga trajneri Redi Jupi, është prania e vetëm dy futbollistëve të Vllaznisë. Pikërisht, të portierit Alen Sherri dhe mbrojtësit Esin Hakaj.
Kuptohet që ata e meritojnë sepse kanë vlera pavarësisht se nuk po luajnë me skuadrën shkodrane, por ajo që bie në sy është se në këtë listë mungojnë të paktën edhe dy-tre emra të tjerë të cilët prej dy sezonesh po spikasin me kuqeblutë. Bëhet fjalë për futbollistët Ardit Krymi, Erald Çinari dhe Arlind Kalaja. I pari është një lojtar stabël dhe shumë i rëndësishëm për mesfushën e Vllaznisë ndonëse vetëm 20 vjeç. I dyti është golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre me 6 gola të shënuar ndërsa i treti dallohet për elementët e tij fizikë, taktikë dhe teknikë duke qenë një lojtar i spikatur i superligës shqiptare. Kuptohet që trajneri i kombëtares U-21 ka justifikimet gati sepse ka ftuar lojtarë shumë cilësorë që luajnë në kampionate të rëndësishme jashtë vendit por ajo që ka rënë në sy është edhe ftesa e një futbollisti që luan në kategorinë e gjashtë angleze.Në këto pozita, natyrisht që Krymi, Çinari e Kalaja, e meritojnë një ftesë përpara tij megjithatë duket se në përzgjedhjen e ekipit ndikojnë shumë faktorë dhe të tre këta futbollistë nuk mund të jenë pjesë e ekipeve kombëtare ndonëse me Vllazninë po luajnë mirë.
© shkodrasport.com