Ish-videoanalisti i Vllaznisë, Xhoen Tugu, pas largimit nga klubi kuqeblu po vazhdon tashmë studimet në Spanjë për menaxhim sportesh. Së fundmi nga Madridi, Tugu ka folur mbi ecurinë e ekipit shkodran, kur ishte pjesë e tij.
Ai tregon edhe të preferuarin e tij midis trajnerëve të mëparshëm Thomas Brdariç dhe Mirel Josës, teksa ka punuar me të dy. Ish-videoanalisti zgjodhi teknikun aktual të Vllaznisë, teksa tha se kuqeblutë janë me fat që kanë një trajner si Josa në krye të pankinës së tyre.
Poashtu, ai flet edhe për përvojën e përgjithshme në klubin kuqeblu, për aq kohë sa ishte pjesë e Vllaznisë, por edhe për të ardhmen e tij në Spanjë, teksa shpreson që ta vazhdojë jetën atje.
Tugu u shpreh se ka kujtime shumë të bukura nga Vllaznia, ndërsa theksoi se Kupa e fituar sezonin e kaluar ishte një gëzim tepër i rrallë, për vetë mënyrën se si rrodhën ngjarjet në klubin kuqeblu. Prononcimin e plotë të ish-videoanalistit të Vllaznisë, Xhoen Tugu, mund ta gjeni në kanalin zyrtar të gazetës “Shkodra Sport” në Youtube, duke klikuar në videon e mëposhtme.
“Unë aktualisht po vazhdoj studimet në Spanjë për menaxhim sportesh që është e lidhur me Realin e Madridit dhe shpresoj që pse jo, të vazhdoj edhe unë një jetë këtu ndoshta.
Padyshim që, kam kujtime shumë të bukura nga Vllaznia, sidomos muajt e fundit që ishin kulminante, qoftë me fitoren e Kupës së Shqipërisë dhe me pjesëmarrjen në Conference League, sepse ishte diçka që ishte shumë e vyer edhe për mënyrën se si shkoi sezoni i skuadrës. Ishte diçka që na vlente shumë, qoftë nga ana morale, por edhe nga ana financiare e klubit.
Çdo moment te Vllaznia ka pasur atë bukurinë e vet, sepse unë kam kaluar shumë mirë, qoftë me stafin, qoftë me futbollistët, por që gëzimi i Kupës ka qenë diçka e rrallë, duke marrë parasysh edhe si shkoi ndeshja, e cila shkoi në kohën shtesë. Kështu që, besoj se ndoshta atë mund ta veçoj, por edhe momentet me njerëzit e ndryshëm.
Momenti i vështirë? Momenti i vështirë ka qenë le të them pjesa e fazës së tretë dhe faza e katërt, që edhe dy trajnerët u ndërruan. Më pas, punuam fort dhe shyqyr Zotit fituam Kupën dhe ia arritëm synimit minimal të paktën që kishim. Trofeu i Kupës pastaj besoj ishte diçka e bukur edhe për tifozët.
Brdariç apo Josa? Josa padyshim. Profesor Mireli di që po kalon momente të vështira tani dhe sinqerisht, Vllaznia është me fat që e ka, sepse është trajneri që ka fituar më shumë në Shqipëri me sa di.
Eshtë një nga dy trajnerët që ka çuar një klub shqiptar në fazën e grupeve. Kështu që, pata edhe një afrimitet me të dhe mund ta konsideroj edhe miqësi. Kështu që, padyshim profesor Mireli”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-videoanalisti i Vllaznisë, Xhoen Tugu.
Maringlen ZHIVANI