Në aspektin futbollistik, Nikolo Faxholi ka rilindur zyrtarisht më 16 mars 2025. 24-vjeçari mori në dorë Fiorentinën dhe e udhëhoqi në suksesin historik 3-0 ndaj Juventusit. Ky ishte klubi që deri para pak javësh ishte “i tij”, por që i ktheu shpinën pothuajse pa paralajmërim. Largimi nuk ka qenë pa dhimbje, siç e ka rrëfyer vetë ai.

“Kam qenë te Juventusi për njëmbëdhjetë vjet, kur në fund të dhjetorit vendosa të largohem, jam ndier më i lehtë. Por në momentin e ndarjes kam qarë. Një dhimbje e madhe. Kam qarë pa e kuptuar, atë ditë kuptova se po mbyllej një periudhë e gjatë e jetës, po lija pas vendet, shokët, rrugën e çdo dite.

Ishte traumatike. Fiorentina më ka pritur me shumë dashuri”, ka rrëfyer ai për “Corriere dello Sport”. “Largimi nga Torino më lejoi të mbyll fazën djaloshare, që më kufizonte shumë. Të njëjtën gjë e ka provuar edhe Moise (Ken). Te Juvja, gjithmonë ishim ata të sektorit të të rinjve, të Next Gen, dhe trajtoheshim si të tillë. Një çmim që e kemi paguar”, shtoi ai.

NGA ALEGRI TE MOTA- “Te Juventusi duhet të fitosh, të fitosh, të fitosh, nuk mund të gabosh. Nëse gabon, je jashtë. Dhe nëse je i ri, bëhesh i pari që zëvendësohesh dhe askush nuk thotë gjë. Vetëm Alegri më ka dhënë mundësinë të luaj me vazhdimësi.

Pas ndeshjeve me Xhenoan dhe Lajpcig, Mota nuk më ka konsideruar më. Në Firence më është rikthyer kënaqësia. Faxholino ka vdekur, tani jam Nikolo”, tha ndër të tjera ishmesfushori i Juventusit, që po bën mirë te Fiorentina.