Keidi Bare ka hasur vështirësi në nisjen e tij te ekipi i Espanjol. Mesfushori fillimisht e kishte të pamundur të federohej dhe kjo ndodhi vetëm në ditët e fundit të merkatos.

Më pas erdhi grumbullimi i kombëtareve dhe mesfushori nuk vendosi të qëndrojë në klub për tu ambientuar, por udhëtoi drejt Tiranës për të qenë nën urdhërat e trajnerit Reja.

Kështu, ai humbi ndeshjen ndaj Alkoron për shkak se ndodhej në impenjim te kombëtarja dhe më pas trajneri Visente Moreno vendosi ta lërë jashtë ekipit në ndeshjet ndaj Vajekanos dhe Mirandes. Arsyeja e këtij vendimi nga ana e trajnerit ishte gjendja fizike e Bares, i cili dukej i lodhur pas ardhjes nga grumbullimi i kombëtares.

Për të bërë pjesë në listën e ekipit për herë të dytë, Bare do duhej të pristë ndeshjen e 25 tetorit ndaj Tenerifes. Megjithatë, edhe në këtë sfidë Bare nuk luajti asnjë minutë. Nesër Espanjol luan ndaj Ponferradina dhe pritet që Bare të ketë minuta.

Deri tani mesfushori i kombëtares ka luajtur vetëm në një ndeshje me Espanjol, pikërisht ndaj Sabadel më datë 4 tetor, kur u aktivizua vetëm në minutën e 84-t dhe zhvilloi 9 minuta. /vipsport/