Mesfushori i përfaqësueses së Shqipërisë, Ergys Kaçe që aktivizohet në kampionatin grek me skuadrën e Panathinaikos ishte mbrëmjen e të dielës protagonist kryesor në ndeshjen ndaj Xanthi, e përfunduar në barazim 2-2.

Futbollisti kuqezi titullar në sfidën e vlefshme për javën e 15-të të superligës greke ka marrë mbi vete të gjithë dritën e prozhektorëve, ndonëse pa shënuar apo shërbyer në dy golat e realizuar nga ekipi i tij.

Ishte minuta e 75’, teksa skuadra e tij ende kryesonte 2-1, kur Kaçe ka lëshuar një goditje spektakolar ne një distancë prej rreth 30 metrash. Fatkeqësisht për futbollistin shqiptar dhe skuadrën e tij, topi ka goditur trekëndëshin e formuar nga shtylla horizontale dhe traversa.

Ishte vetë Kaçe që ka publikuar pamjet e regjistruara të asaj goditje fantastike dhe vetëm pak minuta pasi publikimit në llogarinë e tij në “Instagram”, janë numëruar me mijëra shikime./telesport/