Kontrata e Manuel Nojer me Bajernin skadon verën e 2025 dhe e ardhmja e tij përtej kësaj teme është ende e paqartë. Së fundmi ka pasur edhe kritika për portierin.

Tani flet hapur ish-portieri i rekordmenëve Oliver Kahn. Këtë sezon ka pasur kritika të përsëritura për portierin e bavarezëve, Manuel Nojer. Gardiani 38-vjeçari nuk ka bërë ndonjë gabim të madh, por së fundmi nuk ka shënuar më pikë si portieri i jashtëzakonshëm, sikurse në të kaluarën. Pas kampionatit europian në shtëpi në verë, Nojer dha dorëheqjen nga kombëtarja gjermane. Ish-portieri i Bajernit dhe i kombëtares gjermane Oliver Kahn tani ka komentuar situatën e kapitenit te gjigandët nga Mynihu.

KAHN – “Unë e di këtë nga karriera ime. Ai ishte mësuar të kishte reputacionin si numri 1 në ekipin kombëtar për vite dhe ta mbronte atë. Momenti kur kjo bie nuk është i lehtë, veçanërisht psikologjikisht”.

Vetë Kahn i tha lamtumirë kombëtares pas Kupës së Botës 2006-ës në vendin e tij. Tashmë 55-vjeçari shpjegoi: “T’i bie në një gropë dhe pyet veten, cili është qëllimi tani, çfarë mund të arrij akoma? Nuk më habit fakti që Manuel nuk ka treguar llojin e performancës me të cilën jemi mësuar prej tij në çdo ndeshje këtë sezon”.

Oliver vazhdoi të fliste për Manuel: “Ai është ende në gjendje të japë paraqitjen e tij të klasit botëror. Kjo është gjithmonë një sfidë e madhe. Ai duhet të përcaktojë një qëllim të qartë për veten e tij. Kur u pensionova nga kombëtarja në vitin 2006, e përcaktova qartë për Bajernin, por edhe për veten time. Edhe dy vite të tjera dhe më pas do të mbaronte. Kjo më ndihmoi mua dhe klubin.

Të gjithë e dinin saktësisht se çfarë po ndodhte. Dhe kjo ishte gjithashtu një nxitje. Unë arrita të nxirrja motivim nga ky përfundim i përcaktuar qartë. Deri atëherë doja të fitoja shumë dhe të dilja në një nivel të lartë dhe dinjitoz”. Por Kahn e paralajmëroi Nojerin që të mos humbasë kohën e duhur për t’i dhënë fund karrierës së tij aktive: “Askush nuk dëshiron të fishkëllehet nga stadiumi në fund të karrierës. Nëse Bajern Mynihu arrin të fitojë Ligën e Kampionëve në ‘Allianz Arena’ në maj 2025, kjo do të ishte një moment i përsosur”, e mbylli Oliver Kahn.