Dy boksierë të ekipit të Vllaznisë, pikërisht Arjon Kajoshi dhe Krenar Zeneli do të marrin pjesë në turneun ndërkombëtar “Adem Jashari” që zhvillohet këtë fundjavë në Prishtinë të Kosovës. Ata kanë kohë që përgatiten për këtë aktivitet teksa nuk e kanë ndërprerë për asnjë moment stërvitjen që prej përfundimit të kampionatit kombëtar kur të dy u shpallën kampionë të vendit.

Forma sportive duket shumë e mirë dhe trajneri i kombëtares shqiptare Zef Gjoni beson tek suksesi i tyre edhe në “Adem Jashari”. Ekipi do të niset të premten drejt Kosovës dhe përveç dy boksierëve të Vllaznisë pjesë e kombëtares tonë pritet të jetë dhe një boksier i Teutës që do të konkurrojë në peshën 56 kg ndërsa mund të jetë edhe Emiliano Xhediku i Tiranës në peshën e rëndë. Objektivi mendohet të jetë fitimi i 2-3 medaljeve të arta në këtë turne ku edhe sivjet do të marrin pjesë boksierë nga disa vende të Rajonit.

© shkodrasport.com