Tre boksierë të kombëtares shqiptare dhe pikërisht Arjon Kajoshi, Krenar Zeneli dhe Ardit Murja, kanë zënë vende të para dhe kanë merituar medaljet e arta në turneun “Adem Jashari” që u zhvillua dje dhe sot në Prishtinë të Kosovës. Por jo vetëm kaq. Boksi shqiptar ka patur të tjera suksese. Kombëtarja jonë me tre vende të para, më shumë se gjithë ekipet e tjera, ka zënë vendin e parë dhe është vlerësuar si ekipi më i mirë i këtij turneu ndërkombëtar.
Sakaq, boksieri Krenar Zeneli është vlerësuar edhe me kupën e boksierit më të mirë të “Adem Jasharit”. Finalja e parë për boksierët tanë ka qenë ajo e durrsakut Murja ndaj kosovarit Merlaku për peshën 56 kg. Boksieri ynë ka fituar me rezultatin 4-1 duke u shpallur fitues i medaljes së artë në këtë peshë. Pas tij ka qenë rradha e Krenarit Zenelit për t’u ngjitur në ring ku ka patur bullgarin Kiril Rusinov. Ndeshja ka qenë shumë e fortë por në fund fitues është shpallur boksieri vlonjat i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare Zeneli.
Ndërkohë, për ta mbyllur ashtu si duhet këtë ditë të finaleve, ka menduar shkodrani Arjon Kajoshi. Në finalen e peshës 75 kg ka patur përballë kosovarin Besart Kurhasku por ndeshja nuk ka shkuar deri në fund pasi kundërshtari i Kajoshit nuk ka mundur ta përballojë ritmin e tij dhe për rrjedhojë në raundin e tretë ka vendosur të tërhiqet.
Në këtë mënyrë, edicioni i 19-të i turneut “Adem Jashari” ku morën pjesë boksierë nga 10 shtete të Rajonit, është mbyllur në mënyrën e duhur për kombëtaren shqiptare dhe trajneri Zef Gjoni është shprehur shumë i kënaqur për këtë gjë. Bashkë me kombëtaren tonë në Prishtinë ka qenë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit Florend Kalivopulli.
Gjergj KOLA