Rikardo Kaka e ndoqi nga tribuna fitoren e radhës së Brazilit, përkrah dy legjendave të tjera si Roberto Karlos dhe Markos Kafu.

Ish-fantazisti i “Seleçaos” dhe kampioni i botës në vitin 2002, është i sigurt se ky vit mund të jetë i duhuri për të rikthyer kupën në shtëpi.

“Ishte një Brazil vërtet i ekuilibruar, ndonëse nuk ka dyshime se pesha dhe mungesa e Nejmarit ndihen jo pak. Por me fitoren kundër Zvicrës ne treguam se jemi shumë të fortë edhe pa Nejmarin.

Madje, këto ndeshje, këto fitore i bëjnë shumë mirë pjesës tjetër të sulmuesve, talenteve që kemi në dispozicion, pasi fitojnë vetëbesim dhe eksperiencë që nevojitet për në fazën finale.

Sigurisht, të gjithë duam që ta shohim sa më shpejt Nejmarin në fushë, por kjo skuadër sivjet di të luajë futboll në mënyra të ndryshme. Di të dhurojë spektakël, por di edhe të presë, të jetë cinike, si ndaj Zvicrës”, tha ish-milanisti.