Kukësi po përgatitet për ndeshjen e parë me Karabakun dhe për trajnerin Armando Cungu grupi është thuajse i plotë. I vetmi lojtar me probleme është mesfushori i avancuar Arlind Kalaja.
Shkodrani ka nisur sot përgatitjet, por nuk ia ka dalë dot të ndjekë hapin e shokëve të skuadrës.
Anësori i afruar këtë verë nuk është përfshirë në listën e Kukësit për ndeshjet e Europës, pasi pati një dëmtim që do ta lërë edhe për pak kohë jashtë fushave të blerta. Pjesën e dytë të seancës së sotme ai e realizoi i diferencuar.
Ndërkohë sa i takon Rustem Hoxhës, mbrojtësi ka punuar normalisht me grupin dhe duket se e ka kaluar problemin në gju, që e la jashtë në dy ndeshjet me maltezët e Valetas.
Me grupin po punon edhe i riu Toni Selimi, i cili ka zhvilluar me Kukësin fazën përgatitore në Slloveni. Mungesë e sigurt me Karabakun është Vangjel Zguro, i ndëshkuar me karton të kuq./sport-ekspres/