Humbja me Tiranën dy ditë më parë nuk është se e ka shqetësuar shumë trajnerin e ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë- Artan Kalanë. Skuadra që ai drejton është sërish brenda objektivave të saj dhe mbi të gjitha brenda garës për titullin kampion. Por ajo që e shqetëson këtë trajner është sërish i njëjti problem: mungesa e anës financiare. Ndonëse kemi hyrë në muajin e dytë të këtij viti, klubit shkodran ende nuk i kanë kaluar fondet e duhura për udhëtimet e ekipeve jashtë Shkodrës dhe në kushte të tilla, ekipet po udhëtojnë me fondet e tyre.

“Kjo është absurde mendoj unë. Kemi udhëtuar javën që shkoi në Tiranë me lekët tona sepse klubit ende nuk i kanë kaluar. Do udhëtojmë edhe këtë javë drejt Durrësit dhe në njëfarë mënyre edhe përballohen këto udhëtime se bëhen brenda dite nga Shkodra. Por pas dy javësh do kemi transfertën e Korçës ku na duhet të shkojmë një ditë më përpara dhe shpenzimet janë shumë më të mëdha. Ku t’i gjejnë lekët sportistët për këtë udhëtim? Kjo mendoj se është një situatë aspak e këndshme e cila nuk po gjen zgjidhje nga asnjë instancë. Pastaj kërkojme ne rezultate të mira. Si mund të kërkosh rezultate kur ekzistojnë këto probleme”-ka mbyllur deklaratën e tij trajneri Kalaja. Shqetësimi që ai ngre është me të vërtetë shumë shqetësues sepse sportistët duhet të shkojnë në ndeshjet jashtë qytetit të tyre me paratë e veta. Ndodh në vitin 2012 dhe prandaj është shumë absurde.

 

www.shkodrasport.com