Liga e Serie A po zhvillon një video-konferencë dhe unanimisht klubet e kampionatit elitar në Itali kanë vendosur se duan ta përfundojnë këtë sezon futbollistik. Gjatë asamblesë së sotme është paraqitur edhe një protokoll tjetër sigurie, që do t’i paraqitet Komitetit Shkencor të krijuar nga qeveria.
Tashmë duhet që palët të bien për këtë protokoll, në mënyrë që autoritetet të japin “OK”-in për rifillimin e përgatitjeve. Protokolli i parë ishte konsideruar i pamjaftueshëm nga ana e Komitetit Shkencor. Ndërkohë është menduar edhe për një kalendar që sezoni të mbyllet në kohën e duhur, sipas sugjerimit të UEFA.
Ideja është të rifillojë kampionati në 9-10 qershor, data ku mendohet të zhvillohen duelet gjysmëfinale të Kupës së Italisë, duke u përkushtuar më pas te 12 javët e mbetura të kampionatit, 4 ndeshjet e prapambetura dhe finalja e Kupës.
Vështirë që të luhet pas datës 2 gusht, pasi UEFA dëshiron të mbyllë kompeticionet evropiane pas kësaj date. Nëse Kupa e Italisë nuk do të ketë një fitues, atëherë vendi i shtatë në kampionat do të shkojë në kupat e Europës. /abcnews/