Ndeshjet e javës së 24-t të Kategorisë Superiore do të dhurojnë derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit e pikërisht java do të nisë me këtë supersfidë në “Air Albania”.

Sipas planit të FSHF-së, ajo do të jetë ndeshje e cila do të zhvillohet të premten në darkë në stadiumin e ri kryeqytetas, në orën 19:00, duke ndezur edhe më shumë rivalitetin për titull në këtë pjesë të mbetur të sezonit.

Të gjitha sfidat e tjera do të zhvillohen të shtunën, të ndara në dy orare të ndryshme. Në orën 14:00 në Ballsh luajnë vendasit me Flamurtarin e vendit ët fundit i cili javë pas jave po i afrohet gjithnjë e më shumë verdiktit të matematikës për rënien. Një tjetër skuadër e fundit të tabelës, Luftëtari, luan shanset e fundit të saj me ndeshjen kundër Laçit në fushën e vet.

Ndërkohë, në orën 17:00 në Shkodër është planifikuar të luhet ndeshja direkte mes Vllaznisë e Skënderbeut që luajnë për të evituar play-out e shpesh kanë ndërruar pozicionet në këto javë. Po në të njëjtën orë, Kukësi do të luajë ndaj Teutës që është një rival i cili pretendon pjesëmarrjen në Europë e do të shpresojë që të ndalë hapin e verilindorëve për të pretenduar pse jo diçka më shumë.

E premte, 28.02.2020

Tirana-Partizani 19:00

E shtunë, 29.02.2020

Bylis-Flamurtari 14:00

Luftëtari-Laçi 14:00

Teuta-Kukësi 17:00

Vllaznia-Skënderbeu 17:00