Ekipet e Superiores nuk kanë shumë kohë për të humbur, teksa pas disa ditësh do të duhet të zbresin në fushën e lojës për të bërë mes tyre llogaritë e javës së 7-të. Takime këto që do të luhen në 3 ditë, të premten, të shtunën dhe të dielën.
Kështu ditën e premte, ora 16:00 do të luhet supersfia e kësaj jave. Një duel pretendentësh do të zhvillohet në “Egnatia Arena”, ku Egnatia do të përplasë “brirët” me Partizanin. Si rrogozhinasit ashtu edhe të kuqtë vijnë pas barazimeve në javën e fundit dhe në duelin mes tyre do të luftojnë vetëm për 3 pikët që të ngjisin më pas shkallët në renditje.
Ndërkohë ditën e shtunë do të luhen 2 takime të tjera. Do të jetë radha e Laçit dhe Teutës që në orën 16:00 të zbresin në fushën e lojës. Kurbinasit pas situatës aspak të qetë në këtë sezon do të kërkojnë fitoren e parë sezonale ndaj durrsakëve. Ndërkohë nga ana tjetër “Djemtë e Detit” pas dy javëve të fundit ku kanë marrë vetëm 1 pikë kanë detyrim fitoren.
Në orën 19:00 e gjithë vëmendja do të jetë në “Elbasan Arena”, ku Dinamo do të përplaset me Vllazninë. 2 ekipe mjaft simpatike në këtë sezon do të vihen përballë njëra –tjetrës për 3 pikët e javës së 7-të të Superiores. Shkodrandët vijnë si kryesuesit e kampionatit, ndërsa përballë gjen “djemtë” e Ilir Dajës që në 4 ndeshjet e fundit nuk e njohin humbjen.
Të dielën do të zhvillohen 2 sfidat e mbetura të kësaj jave. Në orën 16:00 në Ballsh do të sfidohen mes tyre 2 ekipet e ngjitura në Superiore. Kështu Bylisi pret Elbasanin në një duel mjaft interesant, ku luhet vetëm për fitoren.
Tirana – Skënderbeu është ndeshja e fundit që do të luhet. Bardheblutë do të presin korçarët në një sfidë ku do të snojnë fitoren e parë në kampionat për këtë sezon. Bledi Shkëmbi do të tentojë t’i japë fund serisë prej 6 barazimesh, ndërkohë nga krahu tjetër ekipi i Ivan Gvozdenovic kërkon vazhdimësinë ndaj kryeqytetasve.