Nëse në fazën e parë “mallkuan” veten që pranuan ta luajnë ndeshjen me Skënderbeun në Korçë për shkak të punimeve që do bëheshin në “Loro Boriçi”, tashmë shkodranët e kanë fatin në anën e tyre. Kjo ngaqë kalendari i tre ndeshjeve të ardhshme flet për ta. Vllaznia do të luajë tre ndeshje rradhazi në “Loro Boriçi”. Fillimisht të mërkurën ndaj Korabit, më pas të dielën me Skënderbeun dhe pastaj fundjavën tjetër edhe me Luftëtarin. Skuadra sot ka 15 pikë dhe me një bilanc pozitiv në këto tre takime, mund të sigurohen shumë gjëra. Mbi të gjitha qetësia në renditje.

Shumëkush ka filluar të bëjë plane sesa pikë do merren në këto tre takime. Megjithatë trajneri Cungu dhe drejtuesit e klubit nuk kanë ndër mend “të fluturojnë”. Për këtë arsye, një vëmendje maksimale do t’i kushtohet takimit të parë të kësaj serie ndeshjesh në Shkodër, pikërisht asaj ndaj Korabit që do të luhet pas dy ditësh. Kundërshtari pavarësisht se ndodhet në vendin e fundit në tabelën e renditjes, ka treguar se mund të përballet si i barabartë me çdo ekip dhe për këtë arsye, do të vijë për të marrë pikë edhe në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë e dinë këtë gjë, prandaj dhe nuk do neglizohet në asnjë moment. Ekipi do grumbullohet si gjithnjë një natë para ndeshjes në “Gardenland Resort” që tashmë është shndërruar në rezidencën e tyre. Po ashtu, me shumë të ngjarë drejtuesit e klubit do të vendosin një premio por jo vetëm për fitoren me Korabin. Ata do kërkojnë një kuotë të caktuar pikësh për tre ndeshjet e rradhës dhe nëse skuadra do t’i marrë ato, atëherë do t’i gëzohet edhe shpërblimit financiar. E rëndësishme është që Vllaznia tashmë gjithçka e ka në dorë për t’ia bërë më të lehtë punën vetes në vazhdimin e sezonit.

© shkodrasport.com