Për vitin 2016 Federata Shqiptare e Boksit ka menduar një organizim ndryshe të kampionatit kombëtar për të rritur. Ai do të zhvillohet me dy faza. E para, ajo kualifikuese do të jetë në fund të muajit tetor në Tiranë ndërsa faza finale, do të zhvillohet në muajin dhjetor. Kjo është një risi e kësaj Federate, madje presidenti i saj Florend Kalivopulli, në një prononcim për “SHKODRA SPORT” ka bërë të ditur se kampionati i sivjetëm do të jetë më i forti dhe më me shumë rivalitet që është zhvilluar ndonjëherë në boksin shqiptar. “Kemi vendosur që të ndryshojmë formatin e zhvillimit të kampionatit duke ofruar një skemë krejt ndryshe.

Në fund të muajit tetor, do të zhvillohet faza e parë e tij. Ajo do jetë në Tiranë dhe në të do të marrin pjesë të gjithë ekipet me sportistët e tyre më të mirë që do të konkurrojnë për të nxjerrë finalistët e çdo peshe. Pasi të ketë ndodhur kjo dhe pasi të bëjmë edhe finalet e Kupës së Shqipërisë muajin e ardhshëm, në dhjetor pastaj kemi menduar që në një “mbrëmje gala” me shumë të veçanta dhe surpriza brenda, të zhvillojmë edhe 10 ndeshjet finale për të përcaktuar edhe kampionët e çdo peshe por edhe ekipin kampion. Ju siguroj se kampionati i sivjetëm ka për të qenë më i forti që është zhvilluar ndonjëherë në boksin shqiptar dhe do të ketë shumë cilësi brenda”- ka thënë Kalivopulli. Vllaznia ka kohë që është duke u përgatitur për këtë kampionat. Përbërja e saj duket e plotë dhe sigurisht që objektivi i saj do të jetë fitimi i titullit të 21-të kampion. Megjithatë nuk do të jetë e lehtë sepse Tirana është forcuar shumë por nuk do mungojnë pretendimet edhe nga ekipet e Flamurtarit, Teutës, Apolonisë e të tjerë.

© shkodrasport.com