Ekipet e “Atletik Klub Shkodra” kanë mbyllur një tjetër pjesëmarrje të suksesshme në të 12-tin vit rradhazi në turneun e Roverettos në Itali. Futbollistët e vegjël shkodranë u kthyen nga shteti fqinj me dy Kupa të fituara, pikërisht ato të grupmoshave U-9 dhe U-15.
Surpriza e këtij viti ka qenë ekipi U-15 i Atletik që u shpall kampion në këtë sezon, edhe pse ndoshta nuk pritej. Pikërisht, trajneri i Atletik U-15 Saimir Kaloshi, në një intervistë për “Shkodra Sport” ka folur rreth këtij suksesi.
Kaloshi u shpreh se i kishin synimet që në fillim që të ktheheshin me trofe, ndërsa theksoi se ekipi i drejtuar prej tij ka zhvilluar një ndër turnetë më të mira ndonjëherë. Poashtu, trajneri i Atletik U-15 shtoi faktin se konkurrenti më i fortë ishte një ekip shqiptar, siç është Shënkolli, me të cilin u ndeshen në gjysëmfinale dhe i mposhtën ata duke shkuar më pas në finale të këtij turneu.
“Jemi shumë të kënaqur që u kthyem me Kupë nga Italia me ekipin U-15. U nisëm që në fillim që të ktheheshim me trofe. Me U-15 bëmë paraqitje jashtëzakonisht të mira. Ishte një ndër turnetë më të mira që kemi pasur me U-15.
Të them të drejtën, konkurrenti më i fortë ka qenë Shënkolli, sepse shkuan në gjysëmfinale dy ekipe shqiptare. Eshtë viti i parë që marrin pjesë dy ekipe shqiptare dhe u zhvillua një ndeshje e bukur, sepse kishte edhe shumë tifozë shqiptarë në stadium. Ne fituam me penallti.
Atëherë, ne ia bëmë hyzmetin deri në fund dhe shyqyr fati na buzëqeshi ne. Kishim emocione, as nuk diskutohet ajo pjesë. Ne kemi marrë pjesë me U-9, U-13, U-15 dhe me ekipin e vajzave. Të gjithë këto, së bashku me tifozët, festuam deri orët e vona.
Kishte shumë tifozë nga Shqipëria, sa të doni, përveç prindërve që kishin ardhur nga Shqipëria. Pothuajse, komplet shqiptarët që rrinë në zonën e Roverettos erdhën natën finale për të na ndjekur.
Të them të drejtën, edhe organizatorët e turneut janë mësuar me fitoret tona, pasi gati për çdo vit ekipet e Atletikut kthehen me trofe dhe ne na vlerësojnë gjithmonë si ekipe pretendente. Këtë herë ishte edhe Shënkolli ekip shqiptar dhe ishte një derbi shumë i bukur në gjysëmfinale. Sido që të shkonte kjo gjysëmfinale, e bukura ishte që një ekip shqiptar do të shkonte në finale.
Edhe ekipi U-9 bëri paraqitje të mira. Fituan të gjitha ndeshjet, madje me goleada. Të them të drejtën, ekipi U-9 nuk ka pasur rivalitet në asnjë ndeshje. Edhe ekipi U-13 ka bërë paraqitje të mira. Ata u eleminuan në gjysëmfinale, por edhe vajzat humbën me penallti në gjysëmfinale. Domethënë, një paraqitje shumë e mirë e të gjitha ekipeve, por me dy trofe jemi të kënaqur, as nuk diskutohet.
Çdo trofe të jep një përvojë dhe një shtysë për të ardhmen dhe besoj se çdo vit pastaj do të jemi edhe më mirë. Ndërkohë, në kampionatin shqiptar do vazhdojmë me objektivat që kemi vendosur që në fillim. Do t’i luajmë ndeshjet një nga një siç janë deri në fund dhe besoj do ta mbyllim me sukses edhe kampionatin shqiptar të Kategorisë së Parë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Atletik U-15, Saimir Kaloshi.
Maringlen ZHIVANI