Futbollisti i ardhur këtë janar tek Kukësi nga ekipi i Luftëtarit, Eduard Rroca, flet në një intervistë për “Zona Gol” në Supersport, ku rrëfehet për skuadrën e zemrës, prapaskenat me partneren ku kaloi tek verilindorët, si dhe një koment për përzgjedhjet e Panuçit në Kombëtaren e Shqipërisë.

Skuadra e zemrës – Juventusin, dhe e kam akoma në zemër. Sonte u mërzitëm pak prej këtij barazimi në sekondat e fundit. Idhulli që kam pasur aty, është padyshim Alesandro Del Piero. Ronaldo? Të flasësh për të, nuk duhet shumë. Ia dimë vlerat e tij. Nuk e prisja të bënte kaq mirë, që në fillim. Me rendimentin e tij, mbetet më i miri në botë.

Duam që të na japë Champions-in, sepse jemi ngopur me Kupa dhe kampionate. Juves i mungon ajo treshe në mbrojtje, ia ka ndjerë mungesën. Edhe Pjaniç nuk është në formën optimale. Besoj se do kthehet në Champions.

Vendimi për te Kukësi, u konsultove me partneren? – E vërtetë që partneri personal, ndikon në zgjedhjen e një skuadre, edhe tek unë ka ndikuar. Duhet të jetë një frymë bashkëpunimi. Ishte zgjedhje e përbashkët. Ashtu ishin rrethanat, dhe nuk patëm shumë probleme në këtë pjesë. Ishalla të vijë edhe ai transferimi për jashtë.

Përzgjedhjet e Panuçit – Besoj se niveli është rritur shumë në Superligë, dhe duhet t’i hedhin sytë aty. Edhe lojtarët si Uzuni apo Abazaj, Guri, janë prodhime Superlige. Nuk duhet të shkojnë në Kombëtare vetëm se u shitën jashtë. Duhet të hidhen sytë edhe këtu, ka shumë lojtarë të mirë që e meritojnë të shkojnë atje, dhe t’i hapet rruga për një transferim jashtë.