Opinion nga Zef Gjoni*
Jam habitur shumë nga disa komente që kam dëgjuar apo çfarë kam lexuar në shtyp. E quajnë zhgënjim vendin e katërt që ka arritur Erkand Qerimaj në Botërorin e peshëngritjes. Nuk e di si mund të quhet zhgënjim një gjë e tillë. Kush janë ata specialistë apo njerëz që flasin kështu? Janë njerëz që i dëgjoj me neveri të flasin në këtë mënyrë nga studiot e televizioneve. Çfarë bëri Erkand Qerimaj? Ai ka arritur shumë gjëra në karrierën e tij dhe i ka dhënë shumë medalje Shqipërisë. Të dalësh i katërti në Botë dhe të rivalizosh me kinezët që kanë miliona sportistë, të rivalizosh me amerikanët, me rusët, besoj se është maksimumi.
Llogarit pastaj që ai është stërvit pa asnjë lloj kushti dhe të dalësh i katërti dhe i gjashtë në Botë, është sukses i madh. Sepse në fund të fundit, secili duhet të pyesë veten: Çfarë jemi ne shqiptarët? Ne s’kemi bukë të hamë, 30 për qind e njerëzve ende edhe sot vuajnë për bukën e gojës. Sa jemi ne 2 milionë, Kina, Amerika apo Rusia i kanë në një lagje. Nuk e di çfarë janë këto specialistë që flasin për zhgënjim. Nuk e di ku i kanë mbaruar ato shkolla dhe sa dijeni kanë për sportin. Janë të gjithë të shkollës së Enverit sepse edhe përpara vitit ’90 kishin guxim të thonin përse Shqipëria nuk mund të fitojë ndj Gjermanisë në futboll? Logjika e tyre ishte se këmbë kanë gjermanët, këmbë shqiptarët dhe nuk ka pse të jemi inferiorë. Në fakt, njëlloj kemi qenë sa i takon organeve trupore por ne në fakt hanim groshë dhe ata hanin tjetër gjë. Ne stërviteshim në kushte skandaloze dhe ato në luks. Sot këto diferenca janë thelluar edhe më tepër dhe të thuash që është zhgënjim vendi i katërt, është budallallëk.
*Trajner i kombëtares së boksit