La Liga do të nisë një tur force, ku në harkun e 10 ditëve do të luhen tri javë kampionat. Reali i Madridit do të përballet sonte në mbrëmje me Gironën dhe trajneri i “los blancos”, Karlo Ançeloti, është shfaqur plot humor në konferencën për shtyp. Ai nuk ka kursyer batutat me gazetarët.

Ndërsa duke u ndalur te çështja e titullit, ai ka vënë në dukje faktin se 11 pikë diferencë mes ekipit të tij dhe Barcelonës janë shumë. Sipas Ançelotit, me potencialin që ka skuadra e tij, diferenca nuk duhej të kishte qenë e tillë. Por gjithçka ka nisur me batutat me gazetarët.

“Jeni mësuar të më bëni pambarimisht pyetje. Por tani kam unë një për ju. A e dini se sa konferenca për shtyp kam dhënë në këtë sezon? Nuk besoj se e mbani mend, ndaj po ua them unë, e 102-ta”, tha Ançeloti.

DIFERENCA ME BARÇËN – “Nëse do t’i referohemi tabelës së renditjes është e qartë se diferenca mes nesh dhe Barcelonës është 11 pikë. Por unë mendoj se realisht kjo është një diferencë e rreme. Nuk besoj se qëndron një hendek i tillë mes nesh dhe Barcelonës. Besoj se këtë e kemi treguar edhe kur jemi përballur ndaj tyre. Diferencën e madhe e të akumuluar e kanë bërë detajet. Gjithsesi, e kemi për obligim që ta ngushtojmë këtë diferencë. Kjo, duke fituar ndeshjet tona”.

KAMAVINGA E MILITAO – “Militao më duket pak më shumë pesimist se më parë. Por sa për cilësitë që ka është vërtet i shkëlqyer. Me kokë është fenomenal”, tha Ançeloti për brazilianin, për të kaluar më pas te francezi. “Kamavinga është shumë i ri dhe ka shumë marzh përmirësimi. Taktikisht ka ende rrugë për të bërë. Teknikisht nuk i mungon asgjë. Sa për fizikun është një bishë, ka një motor Ferrari, jo Fiat Cinquecento”.

MESI TE BARCELONA – “Mesi mund të bëjë atë çfarë të dojë. Barcelona gjithashtu. Këto nuk janë tema që më përkasin mua. Natyrisht që Mesi më pëlqen si lojtar, do të ishte mirë për kampionatin spanjoll”.

RROTACION – “Lojtarët që janë te Reali e kanë të qartë se skuadra qëndron mbi gjithçka. Të rinj e veteranë e kanë kuptuar mjaft mirë këtë. Kjo ma bën më të lehtë administrimin e skuadrës dhe vendimet që më duhet të marr. Natyrisht që nuk janë asnjëherë të lehta, por kështu ndodh”.

NDESHJA NË GIRONA – “Girona luan futboll shumë të bukur. Ata janë një ekip i organizuar me topin në zotërim. Pres një ndeshje mjaft të vështirë edhe për shkak të dëmtimeve që kemi në skuadër”.