Juvja e sivjetshme nuk do të jetë çështje shifrash për Masimiliano Alegrin. Edhe sepse në pesë vitet e para juventine, ai ka treguar gjithmonë se di të ndryshojë formën e lojës, kur është e nevojshme, madje edhe gjatë një ndeshje të vetme. Maks ka qenë i qartë në të kaluarën me zgjedhjet e tij dhe nuk ka qenë i lidhur kurrë tej mase me një vizion taktik.

Cilin modul do të përdorë ekipi në sezonin e ri është një çështje legjitime, por përgjigjja mund të mos jetë aq e lehtë për t’u gjetur. Aq më tepër të jetë përfundimtare e në një periudhë afatmesme.

NDRYSHIM MODULI – Verë 2014, Alegri zbarkonte në Vinovo mes ankesave të tifozëve dhe me ekipin tashmë në pension. Ai nuk u shqetësua për asgjë, duke trashëguar 3-5-2-shin e Kontes dhe punoi mbi siguritë e ekipit në atë skemë. BBC e përbërë nga Barxalji, Bonuçi dhe Kielini do të bënte historinë, teksa trajneri ishte në gjendje të merrte maksimumin nga muri i tij mbrojtës, por edhe t’i parashikonte rënien:

Janar 2017, humbja e fundit në Firence kundër Fiorentinës ishte një kambanë alarmi dhe trajneri zhvendosi skuadrën në skemën 4-2-3-1, e cila do të sillte freski e do të mundësonte ringritjen. Edhe në periudhën e tij të fundit te Juventusi, duke ruajtur një shpirt të lartë teknik, ai propozonte një 4-3-3, aq më tepër me Ronaldon të zhvendosur nga e majta, pozicion ku portugezi ndër vite bazoi karrierën e tij.

NGA T’IA NISË? – Aventura e dytë juventine e Alegrit rifillon nga ideja e një mbrojtjeje me katër lojtarë, një mesfushë me tre dhe një tredhëmbësh që duhet ende të testohet, duke filluar me takimin e radhës kundër Atalantës. Nesër Dibala duhet të jetë në fushë me Ronaldon.

Në këtë bashkëjetesë të fundit, e cila propozohet sërish si tema kryesore për sezonin e katërt radhazi, ndoshta mund të gjendet çelësi i suksesit në sezonin e ri. Argjentinasi nga një 9-sh fals mund të bëhet derë kalimi për depërtimet e CR7 nga njëra anë dhe Kiezës nga ana tjetër, pa harruar të gjithë sulmuesit e tjerë në dispozicion të cilët gjithashtu do t’i bëjnë variantet e tjera të përdorshëm, e sidomos rezultativë.

NEVOJA – Sidoqoftë, në kushtet aktuale, është e pamendueshme një mesfushë me tre lojtarë pa një regjisor. Alegri ka testuar Bentankurin, por vazhdon ta konsiderojë për role të tjera. Në regji po provohen edhe Ramsej me Danilon, por janë eksperimente për të pasur në skuadër një alternativë të regjisorit që duhet të vijë nga merkatoja.

Në majën e listës për këtë pozicion është Manuel Lokateli, teksa Pjaniç mbetet si një “okazion” në rast se do të arrihet shitja e Ramsejt. Alegri pret besimplotë punën e drejtuesve, por me nisjen e kampionatit uron të ketë lojtarët e duhur për idetë e tij. Juvja po ngutet dhe sot nga takimi me krerët e Sasuolos priten lajme të mira në aspektin e merkatos së mesfushorëve.ëve.