Vllaznia do të ndeshet ditën e nesërme përballë Bylisit në transfertë, për sfidën e vlefshme për javën e 18-të të Superiores, në orën 13:00. Në konferencën përpara ndeshjes, trajneri i kuqebluve, Mirel Josa, u shpreh se skuadra do të bëj çmos për ta fituar këtë sfidë dhe se nuk ka asnjë presion sa i përket titullit kampion.
“Nuk besoj se është ndeshje ndryshe. Ndeshjet ndryshe do t’i diskutojmë kur të kemi impenjim ndryshe të skuadrave. Mendoj se është një ndeshje e njëjtë, duke pasur parasysh impenjimin tonë dhe atë të Bylisit si skuadër. Është një ndeshje e vështirë. Bylisi është një skuadër që ka luajtur mirë futboll. Është një skuadër që shpreh që në fillim të kampionatit mirë. pati disa rezultatet të dobëta dhe problemet e veta, por nuk do të thotë asgjë. Çdo ndeshje duhet vlerësuar në bazë të objektivave që kemi.
Lojtarët e Bylisit nuk është se nuk lëvizën me trajnerin e kaluar. Ka ardhur një trajner tjetër, i cili ka mendimin e tij për futbollin. E vlerësoj Bylisin njësoj si të ishte me Bellain, të cilit i uroj suksese në vazhdimësi.
Një sukses nuk zgjat më tepër se 10 minuta. Ne duhet të fokusohemi te ndeshja e ardhshme që kemi me Bylisin. Normal që momenti që po kalojmë është i mirë. këtë na e ka treguar qoftë mënyra e lojës, qoftë rezultati. Një skuadër sado suksese të ketë, po të vij një e keqe shumëzohen me zero.
Unë i rezervuar kam qenë edhe kur skuadrën e dytë e kam pasur 12 pikë mbrapa. Kështu do të vazhdoj të jem. Më intereson që skuadra të përmirësojë gabimet, sepse nuk ka ndeshje pa gabime. Fundja kampion do dali vetëm një skuadër. Problemi është që ne të kapim objektivat që kemi. Kështu që duhet patjetër vazhdimësi dhe më intereson stabiliteti i skuadrës.
Lojtarët të cilët janë thirrur për të plotësuar këto mungesa që kemi pasur, qoftë Latifi që ka nisur stërvitjen, qoftë Bulatoviç që ka nisur stërvitjen, unë mund të them që janë lojtarë të vlefshëm për skuadrën. Më intereson që këta që do jenë të gatshëm të jenë 100%. Gatishmëria e lojtarëve më ngroh më tepër.
Pres një Bylis shumë agresiv. Bylisi kështu ka luajtur futboll, jo vetëm agresiv, por edhe kreativ. Kështu që skuadra duhet të përgatitet.
Unë nuk nënvlerësoj asnjë skuadër, qoftë ato që janë para nesh, qoftë ato që janë pas. Mbas dy javësh mund të kemi ndonjë skuadër tjetër pretendente për titull.
Kam thënë dhe herë tjetër. Erdhi Bekimi në skuadër, problemi është që ata që vijnë të vijnë me oreks për të punuar. Ne do t’i shohim sa shpejtë do të jemi në gjendje t’i sjellim këto lojtarë aty ku duam ne. Por duhet të jetë dhe oreksi i futbollistëve. Çdo trajner, çdo staf, çdo skuadër ka nevojë për lojtarë. Jo vetëm cilësor, por të kenë dhe objektiva kolektive, që i bashkëngjiten atyre të skuadrës”, u shpreh Josa.