Kampionatet kombëtare të basketbollit nuk do të nisin as këtë të shtunë, më 6 tetor, siç ishte planifikuar më parë. Arsyeja është se Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Basketbollit ende nuk është mbledhur për të vënë pikat mbi “i” për skuadrat pjesmarrëse të këtyre kampionateve apo gjëra të tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e kësaj federate.

Në fakt, në Tiranë janë të mendimit se kjo shtyrje e nisjes së kampionateve është bërë për t’i ardhur në ndihmë ekipeve të Vllaznisë të cilat për shkak të mosmarrveshjeve me Bashkinë, kanë vetëm pak ditë që kanë nisur stërvitjen dhe një shtyrje e tillë mund t’i ndihmojë ato për të marrë formën sportive. Por në fakt, ky është një koncept i gabuar. Asnjëherë Federata nuk i ka ardhur në ndihmë Vllaznisë dhe për më tepër në këto momente kur duket se nuk kemi të bëjmë me një ekip pretendent. Një tjetër arsye, duket se është rregjistrimi i skuadrave pjesmarrëse sepse ka ekipe që janë shkrirë dhe nuk do të marrin pjesë në kampionat. Zëvendësimi i tyre do të jetë problem sepse rregulloret nuk e përcaktojnë saktësisht mënyrën si do të veprohet. Me shumë të ngjarë kampionatet do të nisin javën e ardhshme. Si Vllaznia e meshkujve ashtu edhe ajo e femrave nuk duket se do të jenë pretendente në sezonin e ri. Problemi natyrisht që qëndron tek ekipi i meshkujve që sivjet do të ketë një përbërje vetëm me basketbollistë shkodranë ndryshe nga sezonet e kaluara. Të paktën deri në janar kështu do të ndodhë. Më pas, do të shikohet mundësia se çfarë do të bëhet por gjasat janë që këtë kampionat kuqeblutë të pretendojnë vetëm hyrjen në katërshen e ekipeve më të mira të kampionatit, një objektiv që në fakt duhet ta ketë edhe ekipi i femrave.
© shkodrasport.com