Dy kampionatet më të rëndësishme të boksit, ai i të rriturve dhe ai i të rinjve, këtë vit do të zhvillohen në qytetin e Shkodrës. Federata Shqiptare e Boksit tashmë ka vendosur për këtë gjë. Janë caktuar madje edhe datat e zhvillimit të tyre. I pari do zhvillohet kampionati i të rinjve. Boksierët e ekipeve pjesmarrëse do mbërrijnë në Shkodër më datën 5 shtator dhe një ditë më pas, do nisë zyrtarisht kampionati i kësaj grupmoshe që do zgjasë tre ditë. Ndërkohë kampionati i të rriturve që pritet edhe më me shumë interes, do të startojë më 25 shtator. Sivjet mendohet të ketë një konkurrencë të madhe në mes Vllaznisë, Tiranës dhe Flamurtarit. Por shkodranët janë të vendosur për të fituar të 18-tin titull kampion. Për këtë, ata prej ditësh kanë nisur përgatitjet intensive. Madje, që nga fillimi i kësaj jave, ekipi shkodran është sistemuar në pikën turistike të Razmës për të zhvilluar fazën përgatitore. Nën drejtimin e kryetrajnerit Zef Gjoni, boksierët po marrin ngarkesat e duhura stërvitore në mënyrë që të bëhen gati për kampionatin kombëtar. Sporti i boksit është ndër më elitarët e klubit Vllaznia teksa titujt e shumtë kampionë, medaljet në arenën ndërkombëtare, shërbejnë për të rritur krenarinë e këtij klubi. Sigurisht marrja e titullit të 18-të muajin e ardhshëm, do ishte “qershia mbi tortë” edhe për trajnerin Zef Gjoni, duke qenë se ai ka qenë trajner i këtij ekipi që në vitin 1991 kur ai është krijuar dhe ky është një sukses i rrallë në sportin shqiptar.
www.shkodrasport.com